
Ndryshe nga tre protestat e mëparshme, protesta e sotme kundër projektit në Zvërnec u shoqërua me tensione që në momentet e para të nisjes së saj.
Protestuesit u përballën me kordonin e policisë dhe arritën të largonin gardhin metalik të vendosur pranë Urës së Lanës, duke tentuar të vijonin marshimin e tyre.
Nga ana tjetër, policia reagoi duke përdorur automjetin ujëhedhës për të shpërndarë turmën. Forcat e rendit nuk lejuan kalimin e protestuesve drejt Kryeministrisë, duke argumentuar se në stadiumin “Air Albania” po zhvillohej ndeshja Shqipëri-Izrael dhe ishin marrë masa të posaçme sigurie.
Pavarësisht tensioneve, protestuesit deklaruan se protesta e tyre është paqësore dhe se nuk kanë ndërmend të përdorin dhunë. Ata pretenduan se u sulmuan nga policia me automjetin ujëhedhës, ndërsa refuzuan çdo mundësi dialogu në ato momente.
Mes thirrjeve “Dorëheqje, dorëheqje”, protestuesit vijuan tubimin dhe nisën mbajtjen e fjalimeve, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit për Zvërnecin.
"Nuk jemi të dhunshëm dhe nuk do të përdorim forcë në këtë protestë. Policia na sulmoi me automjetin ujëhedhës, por protesta jonë do të vijojë paqësisht. Nuk pranojmë dialog, kërkojmë largimin e qeverisë", u shpreh një protestuese.
Lini një Përgjigje