Një nga protestuesit që mori fjalën gjatë tubimit para godinës së Kryeministrisë i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke deklaruar se qytetarët do të vijojnë protestat deri në largimin e tij nga pushteti.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, ai renditi një sërë çështjesh që, sipas tij, përbëjnë dështime të qeverisë, duke përmendur emigracionin, gjendjen e bujqësisë, transportin publik, çmimet e karburanteve dhe mungesën e minimumit jetik.
Protestuesi akuzoi gjithashtu qeverinë për mungesë përgjegjshmërie ndaj qytetarëve dhe kërkoi konfiskimin e pasurive të politikanëve që, sipas tij, janë të korruptuar.
"Duam konfiskimin e pasurive të politikanëve të korruptuar. Lëri mashtrimet dhe përgjigju popullit. Jep dorëheqjen, largohu, ora jote ka mbaruar. Ne do të ndërtojmë Shqipërinë e Re", u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi paralajmëroi se aksioni qytetar do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit.
"Nëse ky nuk ikën, ne do ta mbajmë peng këtë shesh deri sa të ikësh", deklaroi ai, ndërsa fjalimi u shoqërua me brohoritje dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestën e 29-të kundër qeverisë.
Lini një Përgjigje