Marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës, në ditën e 32 të protestës kundër Edi Ramës, ka përfunduar rreth orës 22:45. Një grup i vogël prej protestuesve, në mënyrë simbolike, kanë vendosur të kalojnë natën poshtë zyrave të Edi Ramës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të treguar rezistencën e tyre ndaj një Kryeministri që sipas tyre nuk dëgjon zërin e popullit.
Protesta e 32-të nisi rreth orës 19:15, ku fillimisht protestuesit u mblodhën në sheshin Skënderbej për të marshuar më pas në drejtim të Kryeministrisë, atje ku si zakonisht mbahen fjalime. Rreth orës 21:00 nisi edhe marshimi i qytetarëve, që tashmë është kthyer një ritual, ndërsa në fund protestuesit janë rikthyer në bulevard, te Kryeministria, atje ku deklaruan edhe fundin e protestës së sotme.
Ndërkohë dita e enjte do të nisë herët për protestuesit, që ashtu si të martën, gjatë paradites do të protestojnë para Kuvendit të Shqipërisë. Protestuesit pritet të mblidhen në orën 10:00, ndërkohë që seanca plenare nis në të njëjtën orë.
Protestuesit do të ndahen në dy grupime, një te rruga e Elbasanit, që përkon me hyrjen kryesore të deputetëve në Kuvend, dhe tjetri nga zona e Kalasë, atje ku ndodhet një tjetër hyrje për deputetët në godinën e Kuvendit. Gjatë protestës së sotme, iu bë thirrje protestuesve që të marrin miell dhe vezë, të cilat duket se do të jenë edhe ‘armët’ e protestuesve ndaj deputetëve.
Lini një Përgjigje