Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj akuzave që, sipas saj, janë hedhur në adresë të saj, duke deklaruar se nuk do të lejojë askënd ta etiketojë si "tradhtare" apo "shitëse të territorit". Ajo paralajmëroi se për shpifjet dhe ofendimet do të ndjekë rrugën ligjore.
E ftuar në emisionin "Debat Plus", Osmani tha se gjatë gjithë karrierës së saj politike ka mbrojtur interesat e shtetit dhe jo të kundërtën.
"Nuk do të lejoj kurrë, asnjëherë, askënd, pavarësisht cilës parti i takon, që të dalë dhe të më shpallë mua tradhtare apo shitëse të territorit të vendit tim, sepse unë e kam bërë pikërisht të kundërtën. Për këto gjëra që janë thënë, për ofendimet dhe shpifjet e shumta, do të merren institucionet e drejtësisë, jashtë politikës", deklaroi Osmani.
E pyetur për ambiciet e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Osmani tha se fokusi i saj është forcimi i partisë dhe afrimi i qytetarëve, jo gara për poste.
"Unë jam në garë me rrit LDK-në, jam në garë me bind qytetarët e Kosovës. Që nga zgjedhjet e 7 qershorit nuk i kam ndalur takimet me qytetarët. Ne duhet të punojmë për t'i rritur radhët tona, jo për t'i zvogëluar dhe as për të luftuar njëri-tjetrin. Në këtë drejtim do të punojmë bashkë edhe me Lumirin, edhe me të tjerët që kanë qëndrime të ndryshme, sepse fuqizimi i Republikës së Kosovës në këto momente delikate duhet të jetë prioritet", u shpreh ajo.
Osmani theksoi gjithashtu se emri i saj nuk ka qenë dhe nuk do të bëhet pengesë për krijimin e institucioneve në Kosovë.
"Emri im kurrë nuk ka qenë pengesë në krijimin e institucioneve dhe kurrë nuk do të jetë. Nuk do ta lejoj në asnjë mënyrë që emri im të shndërrohet në pengesë për krijimin e institucioneve," tha ish-presidentja.
Në fund, ajo nënvizoi se do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe publik, pavarësisht sulmeve apo përpjekjeve për ta larguar nga skena politike.
"Do ta mbroj deri në ditën e fundit integritetin e punës sime dhe interesat e shtetit. Nuk më duhen pozita për të kontribuar për Kosovën. Kushdo që përpiqet ta njollosë punën time do të përballet me çdo mjet ligjor dhe politik. Mua ma kanë shpallur vdekjen politike me qindra herë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë", përfundoi Osmani.
Lini një Përgjigje