Një nga protestueset që mori fjalën gjatë protestës së 45-të para Kryeministrisë riktheu në vëmendje koncertin e reperit amerikan Kanye West, të zhvilluar në Tiranë më 11 korrik, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqpërdorim të fondeve publike.
Sipas saj, kryeministri "vodhi buxhetin e shtetit", ndërsa pretendoi se 4.2 milionë euro iu dhanë artistit në kundërshtim me Kushtetutën. Protestuesja kritikoi gjithashtu imazhin publik të Ramës, duke u shprehur se ai nuk mund të mashtrojë partnerët ndërkombëtarë.
"Ne jemi këtu për Shqipërinë, për t'i thënë stop tranzicionit 36-vjeçar. Ju s'mund ta mbani të ardhmen e popullit shqiptar peng. Shqiptarët dhe e gjithë bota e kanë kuptuar fytyrën e Ramës, mashtrues, i cili me atletet e veta kujton se do t'i mashtrojë liderët ndërkombëtarë. Ata e dinë kush jeni ju, që jeni një autokrat që keni vjedhur buxhetin bashkë me bashkëpunëtorët tuaj."-shprehet ajo.
Duke iu referuar koncertit të Kanye West, ajo shtoi:
"Shembulli më tipik është kur i dhatë një këngëtari tallava 4.2 milionë euro. Është e turpshme të vidhni buxhetin në kundërshtim me Kushtetutën. Jeni manipulator i opinionit publik. Por tashmë ju ka ardhur fundi."-shtoi më tej protestuesja.
Lini një Përgjigje