
Qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë në kuadër të protestës së 24-t masive kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit përshkuan Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kanë artikuluar thirrje kundër kreut të qeverisë.
Mes sloganeve më të dëgjuara gjatë marshimit ishin: “Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen”, “Edi Rama ka mbaru”, “Rama jep dorëheqjen”, “Dorëheqje”, “Shqipëri e re”, “Revolucion” dhe “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, "Rama në burg, Berisha në burg".
Kjo shënon ditën e 24-t të protestave të njëpasnjëshme, të cilat organizatorët i konsiderojnë si një lëvizje qytetare kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe problemeve të akumuluara ndër vite.
Para nisjes së marshimit, organizatorët lexuan kërkesat që i cilësojnë si legjitime dhe të panegociueshme. Në krye të tyre qëndron dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila sipas tyre duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një tjetër kërkesë lidhet me ndryshimet kushtetuese, ku kërkohet që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe që ndryshimet kryesore të miratohen përmes referendumit popullor. Në këtë paketë përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës.
Organizatorët ritheksuan gjithashtu kërkesat e mëparshme, duke kërkuar anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e paketës së njohur si “Pakti i Maleve”, si dhe heqjen e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Sipas protestuesve, lëvizja do të vazhdojë në mënyrë paqësore deri në realizimin e plotë të këtyre kërkesave.
Lini një Përgjigje