TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Maj 2026, 15:12

Skandali i ndërtimeve në Sarandë, habit shefi i policisë: Isha i zënë me vrasjen, prandja nuk i ndalova dot

Shkruar nga Pamfleti
Skandali i ndërtimeve në Sarandë, habit shefi i policisë:
"Beach bari" që solli përplasje dhe Gëzim Bashllari

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, i arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve lidhur me çështjen e ndërtimit pa leje të zbuluar në qytetin bregdetar.

Sipas burimeve pranë hetimit, Bashllari ka deklaruar se gjatë kësaj jave ka qenë i angazhuar me hetimet për vrasjen e ndodhur në Sarandë dhe për këtë arsye “nuk ka pasur kohë të merret me ndërtimet pa leje”. Kjo deklaratë është administruar nga hetuesit e AMP-së, të cilët po verifikojnë përgjegjësinë e drejtuesve lokalë të policisë në lejimin e punimeve të paligjshme.

Ndërtimi pa leje, i konstatuar nga policia të enjten, dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur Sarandën muajt e fundit. Burime policore bëjnë me dije se prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili humbi jetën pas një atentati me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.

Hetuesit kanë ngritur dyshime se pas atentatit mund të qëndrojë një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në episode të tjera kriminale në jug të vendit. Sipas të njëjtave burime, prona ku po ndërtohej një beach bar dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, me synimin për ta vënë në funksion gjatë sezonit turistik.

Në fokus të hetimeve është edhe dyshimi për korrupsion dhe lejim të qëllimshëm të punimeve. Sipas AMP-së, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë për të mos ndërhyrë dhe për të lejuar vijimin e ndërtimit.

Për këtë çështje janë ndaluar shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe tre efektivë të tjerë vartës të tij. Ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën që lejoi ndërtimin pa leje në një zonë me interes të lartë turistik.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin e secilit prej të dyshuarve dhe për të verifikuar lidhjet mes konfliktit për pronën, atentatit me eksploziv dhe aktivitetit të grupit kriminal që po hetohet nga autoritetet.



gezim bashllari sarande

1 Komente

  1. T
    Tiku

    Dikur nje xhandar kishte i gjith qyteti, kurse ky sot me tgjith ata çerra nuk kishte kohe!

    Lini një Përgjigje