Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, ka zbuluar detaje nga takimi i tij me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, me të cilin luajti golf rreth 18 muaj më parë në Palm Beach, Florida. Sulmuesi anglez e cilësoi këtë si një përvojë të veçantë dhe "mjaft surreale".
Pak ditë më parë, Trump kishte treguar për mediat se kishte ndarë fushën e golfit me Kejn, duke e vlerësuar lart kapitenin e Anglisë.
“Mendoj se Kejn është një lojtar i shkëlqyer. Kam luajtur golf me të dhe më pëlqen shumë. Edhe ai është një lojtar i mirë golfi. Ai është vërtet i shkëlqyer”, deklaroi Trump.
Nga ana e tij, Kejn konfirmoi se ftesa erdhi gjatë qëndrimit të tij në Florida dhe pranoi se ishte e vështirë ta refuzonte një mundësi të tillë.
“Po luaja mirë, për të qenë i sinqertë. Rreth 18 muaj më parë ai më ftoi të luaja golf, kur isha në Palm Beach. Kur të fton Presidenti i Shteteve të Bashkuara, është një përvojë mjaft surreale. Ishte kënaqësi ta takoja dhe, sigurisht, të luaja golf me të. Për të qenë i sinqertë, luan vërtet mirë. Shpresoj që edhe unë të luaj golf aq mirë sa ai kur të jem në moshën e tij. Ishte një përvojë unike dhe jam mirënjohës që më ftoi”, u shpreh 32-vjeçari në konferencën për shtyp përpara çerekfinales së Kupës së Botës, ku Anglia do të përballet me Norvegjinë.
Harry Kane confirms he played golf with Donald Trump: "We played about 18 months ago. He invited me to play when I was down in Palm Beach. It was a pretty surreal experience just to meet him and play golf with him"pic.twitter.com/LPBClmqvGi
— Bayern & Germany (@iMiaSanMia) July 11, 2026
Lini një Përgjigje