Nga protesta e sotme u bë thirrje për një mobilizim masiv më 27 qershor, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët nga i gjithë vendi dhe diaspora t'i bashkohen tubimit. Pritet kjo protestë do të shënojë një fazë të re të lëvizjes qytetare
Organizatorët e protestës kundër qeverisë kanë shpallur zyrtarisht mbajtjen e një proteste mbarëkombëtare më 27 qershor në Tiranë. Një prej tyre u ka bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të bashkohen në atë që e cilësojnë si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të organizuara deri më tani.
Organizatorët deklaruan se tubimi i së shtunës do të shënojë një fazë të re të lëvizjes qytetare. Ata u kërkuan pjesëmarrësve që të angazhohen për të sjellë sa më shumë qytetarë në Tiranë, duke e konsideruar protestën si një moment vendimtar për vijimin e kauzës së tyre.
Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u theksua se mobilizimi nuk duhet të kufizohet vetëm në kryeqytet, por duhet të përfshijë qytetarë nga çdo cep i vendit. Organizatorët i ftuan të gjithë ata që mbështesin kërkesat e protestës të marrin pjesë në tubim, duke e cilësuar atë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare dhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve.
Sipas tyre, protesta e 27 qershorit synon të jetë më e madhja e organizuar deri më tani, me pjesëmarrje nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u bë apel që gjithçka të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe me respekt ndaj rendit publik.
Prej 26 ditësh, qytetarët protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke kundërshtuar politikat e qeverisë. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit, janë mbajtur fjalime dhe janë artikuluar kërkesa për ndryshime politike.
Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat nuk do të ndalen dhe se protesta mbarëkombëtare e 27 qershorit shihet prej tyre si një moment kyç për zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare. Ata kanë theksuar se synimi është vijimi i protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje