
Protesta e 47-të qytetare para godinës së Kryeministrisë vijoi me fjalime të aktivistëve, të cilët përsëritën kritikat ndaj klasës politike dhe institucioneve të drejtësisë.
Mes folësve ishte edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila deklaroi se protesta synon t'i japë fund tranzicionit politik dhe kërkoi që hetimet të shtrihen deri te drejtuesit më të lartë të qeverisë.
"Ky shesh e ka treguar qartë qëndrimin e vet ndaj klasës së korruptuar politike 36-vjeçare. Kemi qenë këtu çdo ditë për të thënë se jemi këtu për t'i dhënë fund tranzicionit shqiptar me një klasë të vetme të korruptuar politike, që vetëm ka ndërruar anën, por asnjëherë nuk ka lëshuar pushtetin! Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë!", deklaroi Vatnikaj.
Në vijim të fjalës së saj, aktivistja tha se mbështetja për SPAK-un dhe GJKKO-n nuk është e pakushtëzuar, por shoqërohet me kërkesën që drejtësia të veprojë ndaj të gjithë zyrtarëve të dyshuar për korrupsion.
"Kemi qenë dhe jemi në mbështetje të punës së SPAK dhe GJKKO, por jo me sy mbyllur, por me kërkesë: Hetoni Ramën, arrestoni Ballukun! Hetoni të gjithë të korruptuarit, ata që për 36 vite kanë futur duart në xhepat tanë!", u shpreh ajo mes brohoritjeve të protestuesve.
Fjalimi i Vatnikajt u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.
Lini një Përgjigje