TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 14:58

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

 

Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:

 

SPAK ka dhënë pretencën për fraksionin e dosjes “Meta-Kryemadhi”, duke kërkuar 7 vite burg për Fatime Kryemadhin dhe Ema Çokun. Prokuroria pretendon se qindra mijëra euro të deklaruara prej tyre nuk justifikohen me burime të ligjshme, ndërsa Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion.

Ish-punonjësi i Drejtorisë së Burgjeve, Fatjon Baçi, ka dalë në gjyq për akuzën se i dha një telefon celular Erion Veliajt në paraburgim. Mbrojtja pretendon se telefoni është përdorur vetëm për komunikime familjare dhe jo për veprimtari të paligjshme.

Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për të dyshuarit në skemën e tjetërsimit të pronave. “Arrest në shtëpi” u konfirmua për Shaqir Sheshin, Arianit Matajn dhe Besnik Xhafën, të akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Detaje të reja dalin nga vrasja e Eglant Koçit. Autori i dyshuar Armand Shakaj dyshohet se u fsheh për 10 ditë në Elbasan, duke lëvizur me taksi dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara. Hetimet dyshojnë për motive financiare të lidhura me kriptomonedhat.

Në Bërxullë, hetuesit dyshojnë se atentati ndaj Edmond Sulës u krye nga një vrasës me pagesë. Kamerat kanë fiksuar autorin duke u larguar, ndërsa pista kryesore lidhet me konflikte të mundshme për prona.

Pas dy ditësh kërkime u gjet trupi i pajetë i 38-vjeçarit Erkin Lika në lumin Mat. Ai humbi jetën gjatë një stërvitjeje me litar në Urën e Vashës.

Në Berat, familja Sadushi i dha lamtumirën 15-vjeçarit Fatjon, i cili u mbyt në lumin Osum. Banorët ngrenë akuza për kushtet e krijuara nga pritat lumore.

Në Shkodër, 64-vjeçari Shtjefën Ziçi u la në burg për vrasjen e bashkëshortes, ndërsa mbrojtja kërkoi ekspertim psikik.

Policia e Krujës goditi një parcelë me kanabis, duke arrestuar një 31-vjeçar dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij.

Në Itali, tre të rinj u arrestuan për vrasjen me thikë të një 19-vjeçari në Crema, mes tyre edhe një person me origjinë shqiptare.

Një 55-vjeçar shqiptar u arrestua në Komo pas një vjedhjeje me thyerje dhe përleshjeje me policinë italiane.

Në Spanjë u godit një rrjet ndërkombëtar droge me 7.5 ton kokainë, ku u arrestuan 18 persona, mes tyre edhe një shqiptar i dyshuar si lidhës i organizatës.

Në Shkup, një 31-vjeçar dyshohet se vrau me thikë babanë pas një konflikti familjar, ndërsa në Venezuelë bilanci i dy tërmeteve ka shkuar në 4.490 viktima dhe mbi 16 mijë të plagosur.

 

lajmet

Lini një Përgjigje