TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 13:28

Dosja 'Meta-Kryemadhi', SPAK kërkon 7 vite burg për Fatime Kryemadhin: Nuk justifikohen qindra mijëra euro!

Shkruar nga Pamfleti

Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë euro të tjera që konsiderohen me burim të pajustifikuar.

Dosja 'Meta-Kryemadhi', SPAK kërkon 7 vite burg për Fatime
SPAK kërkon 7 vite burg për Fatime Kryemadhin

SPAK ka dhënë pretencën për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, tre të pandehurit e dosjes ku janë të akuzuar edhe Monika Kryemadhi dhe ish-presidenti Ilir Meta, ky i arrestuar prej 21 tetorit 2024.

Kryemadhi dhe Çoku akuzohen për pastrim parash, kurse Xhixho për korrupsion, ndërsa gjykimi po bëhet i shkurtuar, pasi kanë pranuar akuzat sipas akteve të dosjes së Prokurorisë së Posaçme.

Për Fatime Kryemadhin, e akuzuar për pastrim parash të kryer në bashkëpunim, SPAK ka kërkuar dënimin me 7 vite e 6 muaj burg. Me gjykim të shkurtuar, dënimi reduktohet në 5 vite burg. Edhe për Kryemadhin, SPAK ka kërkuar që dënimi me burg të konvertohet në 5 vite shërbim prove, duke marrë parasysh moshën e saj.

Për Pirro Xhixhon, i dyshuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg. Nëse pranohet gjykimi i shkurtuar, dënimi ulet në 3 vite burg.

Për Ema Çokun, e dyshuar për pastrim parash e kryer në bashkëpunim, SPAK kërkon dënimin me 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar 4 vite e 8 muaj burg. Duke marrë parasysh rrethanat e tjera, pezullohet dënimi me burg dhe vitet në prove për 5 vite.

Dosja 'Meta-Kryemadhi', SPAK kërkon 7 vite burg për Fatime
Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku

Për Kryemadhin dhe Metën, procesi po zhvillohet me procedurë të zakonshme.

Prokuroria e Posaçme paraqiti sot konkluzionet përfundimtare, duke lexuar provat për një sërë gjetjesh mbi burime financiare që, sipas organit të akuzës, nuk justifikohen.

Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë euro të tjera që konsiderohen me burim të pajustifikuar.

Prokuroria deklaroi se për blerjen e apartamenteve janë marrë dy kredi, por ato janë shlyer me para në dorë, të cilat, sipas akuzës, nuk kanë burim të ligjshëm të provuar.

“Janë marrë dy kredi për të blerë apartamentet, por kreditë janë shlyer me para cash, me burime të pajustifikuara. Deklaratat noteriale janë përpiluar pasi Fatime Kryemadhi është marrë në pyetje nga organi i akuzës. Personat e pyetur në lidhje me huatë në para cash nuk kanë asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikat e kalimit kufitar”, u shpreh SPAK.

Në konkluzionet e saj, Prokuroria e Posaçme ndalet edhe tek Ema Çoku, për të cilën pretendon se ka pasur lidhje të ngushtë me Monika Kryemadhin.

Sipas SPAK, kjo marrëdhënie provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta mes tyre, por edhe nga një sërë transaksionesh bankare. Organi i akuzës pretendon se Ema Çoku ka firmosur deklarata noteriale, sipas të cilave i kishte dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro.

SPAK thekson gjithashtu se kompania e Ema Çokut ka paguar faturat e hotelit për shtetas të huaj që kishin ardhur për të mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), si dhe shpenzime të lidhura me aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI).

Prokuroria shton se Ema Çoku ishte debitore pranë bankave të nivelit të dytë për kredi në shuma të konsiderueshme dhe, sipas saj, nuk kishte mundësi financiare për të bërë donacione të tilla.

“Ema Çoku ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë të këtij procedimi përmes deklaratave noteriale”, thuhet në konkluzionet përfundimtare të SPAK.

spak kërkon 7 vite burg për fatime kryemadhin

Lini një Përgjigje