TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2026, 21:36

Video/ Breshëri "zbardh" Kolonjën, dëmtohen rëndë vreshtat

Shkruar nga Pamfleti
Video/ Breshëri "zbardh" Kolonjën, dëmtohen
Pamje nga Erseka

Një stuhi e fortë me reshje intensive breshëri ka përfshirë juglindjen e vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi. Më e goditura rezulton zona e Kamnikut në Bashkinë Kolonjë, ku breshëri, që zgjati rreth 15 minuta, ka dëmtuar rëndë vreshtat.

Reshjet ishin aq të dendura, sa për disa minuta zona u mbulua nga breshëri, duke krijuar pamjen e një peizazhi dimëror. Vreshtat, që përbëjnë një nga burimet kryesore të të ardhurave për banorët e fshatit, kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa fermerët druhen se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të këtij viti është shkatërruar.


Pas situatës së krijuar, një grup pune i Bashkisë Kolonjë pritet të dalë në terren për të evidentuar dëmet dhe për të përgatitur raportin përkatës.

Fermerët thonë se kjo nuk është hera e parë që përballen me një situatë të tillë. Sipas tyre, për të gjashtin vit radhazi breshëri godet kulturat bujqësore në zonat e Kolonjës, Devollit, Korçës dhe Maliqit, duke u shkaktuar humbje të mëdha ekonomike.

Ata shprehen se, ndonëse dëmet janë evidentuar çdo vit dhe dokumentacioni është dorëzuar pranë institucioneve përgjegjëse, deri më sot nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim, duke kërkuar ndërhyrje konkrete për të mbështetur fermerët e prekur.

erseke bresheri

Lini një Përgjigje