Forcat e armatosura tajvaneze zhvillojnë manovra tokësore, ajrore dhe detare për të testuar gatishmërinë luftarake dhe koordinimin operacional përballë presionit në rritje nga Pekini.
Lëvizjet e papritura politike të presidentit amerikan Donald Trump po shkaktojnë shqetësim jo vetëm në Evropë dhe Lindjen e Mesme, por edhe në Azinë Lindore, ku çështja e Tajvanit vazhdon të konsiderohet një nga temat më të ndjeshme të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore.
Takimi i fundit mes presidentit kinez Xi Jinping dhe Donald Trump ka shtuar pasiguritë në Taipei. Autoritetet tajvaneze po ndjekin me kujdes zhvillimet diplomatike mes Uashingtonit dhe Pekinit, mes spekulimeve se administrata amerikane mund të jetë e gatshme të bëjë lëshime në çështjen e Tajvanit në këmbim të bashkëpunimit kinez në dosje të tjera ndërkombëtare, përfshirë Iranin.
Në këtë klimë, qeveria tajvaneze ka nisur një stërvitje ushtarake pesëditore për të demonstruar aftësinë e saj mbrojtëse dhe gatishmërinë për t'iu përgjigjur çdo kërcënimi të mundshëm.
Që nga e hëna, forcat tokësore, ajrore dhe detare të Tajvanit po zhvillojnë manovra të përbashkëta me synimin për të testuar gatishmërinë luftarake, për të forcuar kapacitetet e reagimit dhe për të verifikuar efektivitetin e operacioneve të koordinuara përballë presionit ushtarak në rritje nga Kina.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Tajvanit theksoi se stërvitjet, të cilat do të vazhdojnë deri më 26 qershor, janë pjesë e programit vjetor të trajnimit të forcave të armatosura. Sipas ministrisë, objektivi është përgatitja e njësive për mobilizim të shpejtë, njohja me kushtet reale të fushëbetejës dhe forcimi i aftësisë për kalimin nga gjendja e paqes në atë të luftës.
Autoritetet ushtarake shtuan se manovrat synojnë gjithashtu përmirësimin e zbatimit të planit operacional të përbashkët, duke përdorur skenarë të ndryshëm stërvitorë dhe kushte sa më pranë realitetit operacional.
Sipas agjencisë tajvaneze të lajmeve CNA, automjete të blinduara janë parë duke lëvizur në rrugën provinciale 31, një korridor strategjik transporti në veri të ishullit. Në qytetin Taoyuan, prania e mjeteve ushtarake në rrugët urbane tërhoqi vëmendjen e banorëve dhe u dokumentua gjerësisht me fotografi.
Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Pekini, por vëzhguesit vlerësojnë se autoritetet kineze po ndjekin nga afër zhvillimin e stërvitjeve. /Përshtatur nga "Corriere Della Sera"
Lini një Përgjigje