Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar që përpara përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, ndërsa trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit po i rikthehet gradualisht normalitetit.
Nafta Brent po tregtohet me rreth 73 dollarë për fuçi, pasi kishte arritur në 126 dollarë për fuçi në fund të muajit prill, kur tensionet në Lindjen e Mesme ishin në kulmin e tyre. Ky është niveli më i ulët i çmimit që nga 27 shkurti, një ditë përpara se sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit të çonin në mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit.
Ulja e çmimit pritet të sjellë lehtësim për bizneset dhe konsumatorët, të cilët gjatë muajve të fundit janë përballur me rritje të ndjeshme të kostos së karburanteve.
Chris Beauchamp, analist kryesor i tregjeve në kompaninë IG, deklaroi se nafta Brent është drejt regjistrimit të rënies më të madhe mujore që nga viti 2020.
“Kjo sjell lehtësim për konsumatorët në mbarë botën, me kushtin që industria të arrijë të kompensojë mungesat e krijuara nga muaj të tërë ndërprerjesh. Megjithatë, kjo do të godasë fitimet e kompanive të sektorit të energjisë”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve, rreth 200 anije kanë kaluar tashmë nëpër Ngushticën e Hormuzit pas marrëveshjes së arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t'i dhënë fund konfliktit.
Për tregun evropian, një pjesë e madhe e importeve të naftës dhe benzinës bazohet në çmimet referuese të platformës Platts, e cila shërben gjithashtu si pikë reference edhe për Shqipërinë. Edhe pse nuk tregton naftë, Platts publikon çmime orientuese që përdoren nga rafineritë, importuesit dhe kompanitë tregtare në mbarë botën.
Sipas këtyre të dhënave, çmimi referencë i naftës për Shqipërinë ishte 886 dollarë për ton më 24 qershor dhe u rrit në 913 dollarë për ton më 25 qershor. Këto çmime reflektohen me vonesë në pikat e shitjes së karburanteve në vend.
Kjo ndodh pasi kompanitë shqiptare importojnë sasi të mëdha nafte, të cilat mbërrijnë në vend pas disa ditësh ose javësh. Për rrjedhojë, nëse një ngarkesë është blerë kur çmimet kanë qenë më të larta, ajo do të tregtohet mbi atë bazë kostoje edhe nëse ndërkohë çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie.
Lini një Përgjigje