Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se Moska është e gatshme të mirëpresë në çdo kohë emisarët e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, sapo ata të kenë mundësi të vizitojnë Rusinë.
Në një intervistë për gazetarin e televizionit rus Vesti, Pavel Zarubin, Peskov tha se të dy emisarët janë aktualisht të angazhuar me detyra të tjera, por theksoi se Rusia mbetet e hapur për një vizitë të tyre.
"Ata janë të zënë tani. Sapo të kenë më shumë kohë të lirë, do të jenë gjithmonë të mirëpritur në Moskë", deklaroi Peskov.
Ai shtoi se, megjithëse prej disa kohësh nuk ka pasur vizita të këtyre emisarëve në Rusi, kontaktet mes Moskës dhe Uashingtonit vazhdojnë të zhvillohen rregullisht përmes kanaleve diplomatike ekzistuese.
"Kontaktet janë me të vërtetë mjaft të shpeshta përmes kanaleve të disponueshme", theksoi zëdhënësi i Kremlinit.
Deklaratat e Peskovit vijnë në një periudhë kur pritet të shtohen përpjekjet për dialog mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht lidhur me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera të marrëdhënieve dypalëshe.
Kremlini ka përsëritur në disa raste se mbetet i hapur për dialog me administratën Trump, duke theksuar se kontaktet mes dy vendeve vazhdojnë pavarësisht mungesës së vizitave të nivelit të lartë në muajt e fundit.
Lini një Përgjigje