TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Korrik 2026, 16:53

U arrestuan gjatë përplasjes para Kuvendit, protestuesit lirohen nga paraburgimi: Fitore!

Shkruar nga Pamfleti
U arrestuan gjatë përplasjes para Kuvendit, protestuesit lirohen nga
Momenti ku protestuesit dalin nga paraburgimi

Gjykata e Tiranës caktoi masat e sigurisë për 19 të arrestuarit. Dy u lanë në arrest shtëpie, 12 me detyrim paraqitjeje, pesë u liruan pa masë sigurie.

Ka nisur lirimi i protestuesve të arrestuar pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së 2 korrikut në Tiranë. Të arrestuarit po dalin nga blloku i sigurisë në rrugën "Mine Peza", ku po priten me përqafime, duartrokitje dhe emocione nga familjarë, miq dhe qytetarë të mbledhur jashtë ambienteve.

Pak më herët, Gjykata e Tiranës dha vendimin për 19 protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me forcat e policisë. Për Everest Bardhin dhe Ervin Gegën u caktua masa e "arrestit në shtëpi", ndonëse Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg, duke pretenduar se kishin ushtruar dhunë dhe dëmtuar një automjet të policisë.

Ndërkohë, Altin Hila, i cili u bë një nga figurat më të komentuara të protestës pasi u shfaq me fëmijën e tij të sëmurë, u la i lirë. Fillimisht, Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg për të, por më pas ndryshoi kërkesën duke propozuar arrest shtëpie.

Për 12 protestues të tjerë gjykata vendosi masën e "detyrimit për paraqitje", ndërsa pesë persona u liruan pa asnjë masë sigurie.

Seanca gjyqësore zgjati mbi pesë orë dhe u ndërpre përkohësisht pasi një prej protestuesve, Niko Carklaj, shfaqi probleme shëndetësore. Sipas të dhënave të bëra publike, ai vuan nga epilepsia dhe pati nevojë për ndihmë gjatë zhvillimit të seancës.

protestuesit paraburgimi

Lini një Përgjigje