TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2026, 19:35

Delegacioni amerikan shtyn udhëtimin për në Islamabad, shtohen pasiguritë për negociatat

Shkruar nga Pamfleti
Delegacioni amerikan shtyn udhëtimin për në Islamabad, shtohen
Foto gjatë vizitës së shkuar në Islamabad

Delegacioni i Shteteve të Bashkuara ka shtyrë nisjen drejt Islamabadit për raundin e ri të bisedimeve me Iranin, duke shtuar pasiguritë mbi zhvillimin e negociatave të planifikuara në Pakistan.

Sipas agjencisë Associated Press, nënpresidenti amerikan JD Vance ndodhet ende në Uashington, ku gjatë ditës ka marrë pjesë në takime dhe konsultime të nivelit të lartë. Ai pritej të udhëtonte drejt Islamabadit për të përfaqësuar palën amerikane në bisedimet me delegacionin iranian.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cituar nga Washington Post, bëri të ditur se nisja e delegacionit është shtyrë për shkak të “takimeve të mëtejshme strategjike” që po zhvillohen në kryeqytetin amerikan.

Në të njëjtën linjë, New York Times raporton se edhe figura të tjera kyçe të delegacionit amerikan nuk janë nisur ende drejt Pakistanit. Mes tyre janë i dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump. Të tre zyrtarët pritej të kishin udhëtuar tashmë për në Islamabad.

Shtyrja e udhëtimit vjen në një moment delikat për procesin diplomatik, ndërsa pjesëmarrja e Iranit në këto bisedime mbetet ende e pakonfirmuar. Zhvillimet e fundit tregojnë se negociatat përballen me pengesa të reja, duke lënë të hapur mundësinë e vonesave të mëtejshme ose rishikimit të agjendës diplomatike mes dy vendeve.

 

shba iran

Lini një Përgjigje