TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Qershor 2026, 19:29

Gjykata Supreme i jep dritën jeshile Trumpit për kufizimin e azilit dhe heqjen e mbrojtjes për mijëra emigrantë

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata Supreme i jep dritën jeshile Trumpit për kufizimin e azilit
Gjykata Supreme

Vendimi me raport votash 6-3 lejon rikthimin e politikës së refuzimit të azilkërkuesve në kufi dhe i hap rrugën përfundimit të statusit të mbrojtjes së përkohshme për shtetas nga Haiti dhe Siria.

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i dha të enjten një fitore të rëndësishme presidentit Donald Trump në politikën e emigracionit, duke lejuar rikthimin e një politike që kufizon pranimin e azilkërkuesve në pikat kufitare me Meksikën dhe duke i hapur rrugën përfundimit të mbrojtjes së përkohshme nga deportimi për mijëra emigrantë.

Me vendimin 6-3, shumica konservatore e Gjykatës vendosi se një person nuk konsiderohet se "ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara" derisa të kalojë fizikisht kufirin. Kjo do të thotë se autoritetet kufitare mund të refuzojnë azilkërkuesit që ndodhen ende në territorin meksikan, pa u dhënë mundësinë të paraqesin kërkesë për azil.

Vendimi rikthen të ashtuquajturën politikë "metering", e cila kufizon numrin e azilkërkuesve që përpunohen në pikat kufitare. Praktika nisi gjatë administratës së Barack Obama-s për shkak të kapaciteteve të kufizuara, por u zgjerua dhe u formalizua gjatë mandatit të parë të Trumpit. Më vonë ajo u anulua nga administrata Biden pas vendimeve të gjykatave federale.

Në opinionin e shumicës, gjyqtari Samuel Alito shkroi se "një i huaj mbërrin në Shtetet e Bashkuara vetëm kur kalon kufirin", duke argumentuar se tentativa për të hyrë në territorin amerikan nuk mjafton për të fituar të drejtën për të kërkuar azil.

Në të njëjtën ditë, Gjykata Supreme lejoi gjithashtu administratën Trump t'i japë fund Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) për shtetas nga Haiti dhe Siria. Vendimi mund të prekë rreth 350 mijë haitianë dhe 6 mijë sirianë, të cilët rrezikojnë të humbasin lejet e punës dhe mbrojtjen nga deportimi, nëse nuk kualifikohen për një status tjetër ligjor.

Administrata Trump ka ndërmarrë hapa për t'i dhënë fund statusit TPS për më shumë se një duzinë shtetesh, në kuadër të strategjisë për të kufizuar emigracionin, si atë të paligjshëm ashtu edhe atë ligjor.

Tre gjyqtarët liberalë votuan kundër vendimit. Gjyqtarja Sonia Sotomayor lexoi publikisht kundërshtimin e saj nga salla e gjyqit, duke paralajmëruar se pasojat humanitare do të jenë të rënda.

"Pasojat e vendimit të sotëm janë të parashikueshme. Më shumë njerëz do të vdesin," shkroi ajo.

Sotomayor krahasoi vendimin me rastin historik të anijes MS St. Louis, e cila në vitin 1939 transportonte afro 1.000 hebrenj që iknin nga Evropa naziste, por u refuzua nga SHBA-ja. Shumë prej pasagjerëve humbën jetën më pas gjatë Holokaustit. Sipas saj, interpretimi i shumicës mund të lejojë autoritetet amerikane të mos shqyrtojnë as kërkesat për azil të personave që ndodhen në hyrje të pikave kufitare.

Edhe avokatët që përfaqësojnë një grup shtetasish haitianë e kritikuan vendimin, duke paralajmëruar se ai mund të çojë në pasoja fatale për mijëra persona.

"Ky vendim do të vërë në rrezik mbajtësit haitianë të TPS-së, të cilët u larguan nga vendi i tyre për të jetuar të sigurt. Është një ditë shumë e trishtueshme jo vetëm për ta, por për këdo që beson se emigrantët janë një nga pikat më të forta të Amerikës," deklaruan ata.

gjykata supreme trump

Lini një Përgjigje