TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Qershor 2026, 17:00

Rubio: Për herë të parë pas 3 dekadash, Izraeli dhe Libani ulen në tryezën e bisedimeve!

Shkruar nga Pamfleti
Rubio: Për herë të parë pas 3 dekadash, Izraeli dhe Libani
Marco Rubio

Rubio deklaroi nga Bahreini se është shënuar përparim në negociatat mes dy vendeve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka njoftuar se Izraeli dhe Libani po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë pas tre dekadash, në një proces që synon normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Gjatë një turneu në vendet e Gjirit, Rubio deklaroi nga Bahreini se është shënuar përparim në negociatat mes dy vendeve dhe se palët janë pranë dakordësimit për një deklaratë të përbashkët qëllimi.

"Mendoj se jemi shumë afër arritjes së një deklarate qëllimi nga të dy vendet. Është një proces, do të duhet kohë dhe shumë punë, por mund t'ju them se për herë të parë në 30 vjet, qeveria libaneze po flet drejtpërdrejt me qeverinë izraelite", u tha Rubio gazetarëve.

Deklarata e kreut të diplomacisë amerikane vjen në një kohë kur Izraeli dhe Libani zhvilluan në Uashington raundin e pestë të bisedimeve, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Takimet e kësaj jave janë pjesë e një serie negociatash që kanë nisur në muajin prill dhe synojnë krijimin e kushteve për një marrëveshje afatgjatë mes dy vendeve.

Sipas Rubios, procesi nuk pritet të jetë i shpejtë, por fakti që qeveritë e të dy vendeve po komunikojnë drejtpërdrejt përbën një zhvillim historik, duke qenë se kontakte të tilla kanë munguar për rreth 30 vjet.

Autoritetet amerikane dhe presidenti i Libanit, Joseph Aoun, kanë theksuar se këto negociata janë të pavarura nga dialogu që SHBA zhvillon me Iranin. Megjithatë, Teherani ka deklaruar se zhvillimet në Liban dhe negociatat rajonale janë të ndërlidhura me bisedimet për çështje të tjera në Lindjen e Mesme.

Raundi i pestë i bisedimeve, i cili përfundon këtë javë, është fokusuar në krijimin e të ashtuquajturave "zona pilot", që do të kontrollohen nga ushtria libaneze. Kjo masë shihet si një hap për uljen e tensioneve përgjatë kufirit mes dy vendeve dhe për forcimin e rolit të institucioneve shtetërore libaneze në garantimin e sigurisë.

Negociatat po zhvillohen në një moment delikat për rajonin, pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh ushtarake përgjatë kufirit Izrael-Liban. Shtetet e Bashkuara shpresojnë se përparimi i këtyre bisedimeve mund të krijojë bazën për një marrëveshje më të gjerë, që do të kontribuonte në stabilitetin e Lindjes së Mesme.

marco rubio shba izraeli

Lini një Përgjigje