TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 07:20

“Ishte ëndrra e jetës sime”/ I fiksuar pas Hannibal Lecter, 48-vjeçari copëtoi fqinjën

Shkruar nga Pamfleti
“Ishte ëndrra e jetës sime”/ I fiksuar pas Hannibal
Ilustrim

Prokuroria tha se i pandehuri e përshkruante krimin si “ëndërr të jetës”, ndërsa dënimi pritet të shpallet të enjten…

Një gjykatë në Kembrixh shpalli fajtor 48-vjeçarin Karl Hutchings për vrasjen e fqinjës së tij, Julie Buckley, 55 vjeçe, trupin e së cilës e copëtoi me sharrë elektrike dhe e varrosi në një varr të cekët të hapur prej tij.

Sipas prokurorisë, Hutchings kishte një fiksim të hershëm me personazhin imagjinar Hannibal Lecter nga filmi The Silence of the Lambs. Prokurorja Christine Agnew deklaroi në gjykatë se ai thoshte shpesh se, nëse do të vihej në skenë një shfaqje për Lecter-in, ai do të ishte kandidati ideal për rolin, sepse “nuk do t’i duhej të bënte prova”, duke pretenduar se dinte përmendësh dialogët e filmave.

Gjatë seancës për caktimin e dënimit, u bë e ditur se Hutchings i kishte rrëfyer një miku se e kishte goditur Buckley-n me çekiç dhe më pas e kishte mbytur. Ai pretendoi se viktima kishte qëndruar gjallë për shumë orë pas sulmit, ndërsa më vonë e copëtoi trupin dhe fshehu mbetjet.

Prokuroria tha gjithashtu se i pandehuri u kishte deklaruar miqve se kishte menduar edhe ta hante viktimën, por nuk donte, sipas fjalëve të tij, të fuste në trup një “person toksik”. Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, ai e cilësoi vrasjen si “ëndërr të jetës”, duke shtuar se përjetimi ishte “si një drogë”.

Çështja doli në dritë në shkurt 2024, kur policia nisi hetimet pas shqetësimeve për zhdukjen e Julie Buckley. Në banesën e saj në Christchurch u gjetën gjurmë gjaku, të cilat analizat laboratorike konfirmuan se i përkisnin viktimës. Megjithëse trupi nuk ishte gjetur, autoritetet ngritën akuzë për vrasje ndaj Hutchings më 13 shkurt, në një rast të pazakontë pa gjetjen e kufomës.

Në shtator 2024, një ditë pas pranimit të fajësisë, Hutchings u dorëzoi autoriteteve, përmes avokatëve të tij, një hartë që tregonte vendin ku kishte fshehur mbetjet mortore. Policia i gjeti ato në një zonë rurale në Wimblington, të varrosura në një varr të cekët.

Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi dëmtime të shumta në kafkë nga goditje me mjet të fortë, si edhe fraktura në brinjë, hundë dhe krahun e majtë. Sipas ekspertëve, asnjë nga plagët nuk ishte menjëherë vdekjeprurëse, çka lë të kuptohet se viktima mund të ketë mbijetuar për disa orë pas sulmit.

Sipas prokurorisë, motivi i krimit lidhej me një konflikt për përdorimin e lëndëve narkotike. Hutchings dyshohet se u zemërua pasi Buckley refuzoi ta çonte për të marrë ilaçin e përshkruar dhe nuk pranoi t’i jepte drogë nga ajo që konsumonte vetë. Pas vrasjes, ai shiti makinën e viktimës për 500 paund dhe përdori kartën e saj bankare për të blerë alkool dhe për të tërhequr para.

Gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit, policia gjeti gjurmë të shumta gjaku, mbetje të një zjarri në oborr, si dhe një sharrë elektrike, ku u zbuluan qime dhe materiale biologjike që mund t’i përkisnin viktimës.

Mbrojtja argumentoi se Hutchings vuante prej vitesh nga probleme të rënda të shëndetit mendor dhe varësia nga substancat narkotike, duke pretenduar se sulmi ishte spontan dhe se ai nuk kishte pasur qëllim ta vriste Buckley-n. Megjithatë, gjykata dëgjoi se ai e zbuloi vendndodhjen e mbetjeve vetëm pas nëntë muajsh dhe pranoi fajësinë vetëm dy javë para nisjes së gjyqit.

Sipas mediave britanike, vendimi për dënimin e Karl Hutchings pritet të shpallet të enjten.

 

britania e madhe hannibal lecter krimi

Lini një Përgjigje