TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Korrik 2026, 22:55

Kriptot, mineralet e rralla dhe zgjedhjet e mesmandatit: Loja e biznesit pas politikave të Trump

Shkruar nga Max Ferrario
Kriptot, mineralet e rralla dhe zgjedhjet e mesmandatit: Loja e biznesit pas
Donald Trump

Nuk është një histori krejtësisht e re, por këtë herë kemi dokumente zyrtare të publikuara nga vetë administrata amerikane. Prej kohësh dihej se Trump nuk e shihte si problem përfitimin ekonomik nga pozicioni i tij si president...

Nga kriptovalutat te emigracioni dhe mineralet e rralla, presidenca e Donald Trump po përballet me sfida që ndërthurin politikën, biznesin dhe drejtësinë. Vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë dhe tensionet brenda MAGA-s po ndryshojnë ekuilibrat politikë. Ndikimi i tyre pritet të matet në zgjedhjet e mesmandatit.

Ditën kur Gjykata e Lartë hodhi poshtë përpjekjen e Donald Trump për të kufizuar me dekret të drejtën e shtetësisë në lindje, presidenti amerikan u përball edhe me një polemikë tjetër. Dokumente të reja financiare zbuluan fitime shumë të mëdha të familjes së tij, veçanërisht nga kriptovalutat, gjatë vitit të parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Massimo Gaggi, kolumnist i Corriere della Sera, i sheh këto dy çështje si pjesë të së njëjtës tablo: ndërthurjen e pushtetit politik me interesat private, debatet mbi emigracionin, përçarjet brenda lëvizjes MAGA dhe sfidat që Trump do të përballet në zgjedhjet e mesmandatit.

Dokumentet zyrtare flasin për mbi 1 miliard dollarë të ardhura për familjen Trump, kryesisht nga kriptovalutat. Çfarë tregojnë ato?

Nuk është një histori krejtësisht e re, por këtë herë kemi dokumente zyrtare të publikuara nga vetë administrata amerikane. Prej kohësh dihej se Trump nuk e shihte si problem përfitimin ekonomik nga pozicioni i tij si president.

Megjithatë, tani kemi të bëjmë me një shkallë krejt tjetër. Për më shumë se dy shekuj, në politikën amerikane ka mbizotëruar parimi se kush qeveris duhet t’i shërbejë interesit publik dhe jo të përdorë detyrën për përfitim personal.

Në SHBA ka pasur edhe më parë skandale që kanë përfshirë familjet e presidentëve. Çfarë e bën të ndryshëm këtë rast?

Skandale ka pasur gjithmonë, por ato janë shumë më të kufizuara se ajo që po shohim sot. Ka pasur favore për të afërm, raste të diskutueshme fondacionesh apo edhe çështjen Hunter Biden, i cili ishte konsulent në kompaninë ukrainase “Burisma” kur Joe Biden ishte zv\president. Me Trumpin kemi një mekanizëm shumë më të gjerë. Edhe gjatë mandatit të parë pati kritika për marrëveshjet e tij në vendet e Gjirit, por ato mbeten në hije krahasuar me aktivitetin e mandatit të dytë.

Çfarë nënkuptoni me “mekanizëm më të gjerë"?

Nuk bëhet fjalë vetëm për kriptovalutat. Flasim për stablecoin-et, investime që përfitojnë nga vendime politike dhe aktivitete të tjera biznesi të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me qeverinë. Fëmijët e Trump po investojnë edhe në sektorin e mineraleve të rralla, përfshirë projekte në Azinë Qendrore, një rajon me rëndësi të madhe gjeopolitike.

Pra sipas jush, kemi një ndërthurje mes interesave ekonomike dhe axhendës politike?

Po, dhe ky është thelbi. Më e habitshmja është se Trump duket se e konsideron këtë plotësisht legjitime. Ai argumenton se bizneset menaxhohen nga fëmijët e tij, por kjo

nuk mjafton. Nuk ekziston një “blind trust” i vërtetë, siç kanë përdorur presidentë të tjerë, ndërsa ai mbetet përfituesi përfundimtar i këtyre interesave.

Ndërkohë, fëmijët e tij duket se po e shfrytëzojnë hapur lidhjen me Shtëpinë e Bardhë...

Po. Ata udhëtojnë, takojnë investitorë dhe u thonë se mund të investojnë me besim, sepse administrata është e favorshme ndaj këtij sektori. Në rastin e stablecoin-eve kjo u pa qartë. Familja Trump hyri në treg dhe pak më vonë presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që liberalizoi ndjeshëm rregullat. Ata vetë thonë se në mandatin e parë respektuan kufizimet dhe humbën para. Tani nuk ndihen më të detyruar t’i respektojnë ato.

Le të kalojmë te Gjykata e Lartë. A pësoi Trump një humbje për çështjen e shtetësisë përmes lindjes?

Po. Gjykata veproi siç pritej. Edhe pse ka shumicë konservatore, ajo vendosi se Amendamenti i Katërmbëdhjetë është shumë i qartë dhe nuk mund të anashkalohet me dekret presidencial. Edhe disa gjyqtarë konservatorë nuk ishin të gatshëm të devijonin nga teksti kushtetues.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se politika e tij ndaj emigracionit është ndalur...

Jo. Trump ende ka hapësirë të madhe veprimi. Më të rrezikuar mbeten personat që ndodhen në SHBA me mbrojtje ose leje të përkohshme. Për ta, dëbimi mbetet një mundësi reale, por me procedura më formale dhe më pak spektakolare se bastisjet e mëparshme të ICE. Vetëm haitianët në këtë kategori janë rreth 350 mijë, ndërsa në total numri mund t’i afrohet një milioni.

Pra, Gjykata e Lartë e ndali në planin simbolik, por i la hapësirë në planin administrativ?

Në një masë të madhe, po. Për të drejtën e shtetësisë përmes lindjes ai humbi qartë, por në fusha të tjera Gjykata ia ka zgjeruar kompetencat presidenciale. Ajo ka pranuar edhe mundësinë që presidenti të shkarkojë drejtues të agjencive federale të pavarura, gjë që Trump e ka bërë tashmë me disa institucione kyçe.

Çfarë mbetet nga ofensiva e ashpër kundër emigracionit?

Ajo i kushtoi politikisht. Emigracioni ishte tema ku Trump kishte mbështetjen më të fortë, por metodat agresive i dobësuan konsensusin. Edhe Stephen Miller e ka pranuar se pati teprime. Objektivi mbetet dëbimi i emigrantëve pa status ligjor, por me më pak spektakël dhe më shumë procedura.

A e ka përçarë lëvizjen MAGA lufta me Iranin?

Po, por tensionet kishin nisur më herët. Brenda MAGA bashkëjetojnë një krah ultrakonservator me bazë fetare dhe një krah teknologjik e libertarian, i lidhur me figura si Elon Musk, Peter Thiel dhe J.D. Vance.

Përplasjet mes tyre janë reale dhe gjithnjë e më të dukshme. Nuk do të thotë se këta njerëz janë bërë demokratë. Shumë prej tyre mbeten në të djathtë, por nuk e ndjekin më Trumpin pa rezerva.

A po shkon Trump i dobësuar drejt zgjedhjeve të mesmandatit?

Pa dyshim është më i dobët. Çështja “Epstein”, konflikti me Iranin, treguesit ekonomikë, rritja e çmimeve të karburantit dhe plehrave kimike po rëndojnë jo pak mbi presidencën e tij. Megjithatë, edhe demokratët nuk janë në një pozicion të qartë.

Po i referoheni ndikimit në rritje të Zohran Mamdanit?

Po. Mamdani po mbështet kandidatë të majtë në zgjedhjet paraprake jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Kolorado, ndërsa po përpiqet të zgjerojë ndikimin në Teksas, Connecticut dhe Massachusetts.

Nëse kjo prirje vazhdon, Partia Demokratike mund të zhvendoset më majtas, duke rrezikuar të humbasë votuesit e moderuar, veçanërisht në shtetet kyçe në pjesën qëndrore të SHBA-së. Kjo është arsyeja pse, edhe pse Trump është më i dobët se më parë, alternativa ndaj tij mbetet ende larg të qenit e konsoliduar./Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”

trump shba kripto

Lini një Përgjigje