
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjen që vendit të tij t'i jepet mundësia për të prodhuar raketa Patriot, pas sulmit vdekjeprurës rus të së enjtes.
Ukraina disponon sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, të cilat janë të vetmet në arsenalin e saj që mund të përballojnë raketat balistike të Rusisë. Megjithatë, Kievi synon të zhvillojë kapacitetet për prodhimin e këtyre raketave brenda vendit.
"Për të mbrojtur me besueshmëri jetët, na duhet prodhimi ynë", deklaroi Zelensky në një video të publikuar në platformën X.
Presidenti ukrainas bëri të ditur se diskutimet me administratën amerikane për këtë çështje kanë vazhduar prej kohësh dhe i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump të ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur mbrojtjen e jetëve në Ukrainë.
Sipas Zelenskyt, prodhimi i raketave Patriot në Ukrainë ose në bashkëpunim me vendet partnere evropiane do të ishte në interes edhe të Shteteve të Bashkuara, duke forcuar kapacitetet e përbashkëta të mbrojtjes.
Pas vizitës në një nga zonat e goditura nga sulmet, Zelensky publikoi një deklaratë të zgjeruar dhe pamje nga vendngjarja. Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës të veprojnë më vendosmërisht.
"Është e rëndësishme që partnerët tanë të mos qëndrojnë duarkryq ndërsa shkatërrohen jetë njerëzore. Duhet të ushtrohet presion mbi Rusinë dhe ajo duhet të detyrohet t'i japë fund këtij agresioni", tha presidenti ukrainas.
Zelensky theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe për blerjen e armëve të reja nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të iniciativës PURL.
Lini një Përgjigje