
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shpreh bindjen se marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit përbën një bazë “shumë të fortë” për uljen e tensioneve në rajon. Ai i bëri këto deklarata gjatë një paraqitjeje të përbashkët me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, në kuadër të samitit të G7 në Francë.
Megjithatë, Trump theksoi se marrëveshja nuk është ende përfundimtare dhe paralajmëroi se Uashingtoni mund të rikthehet në operacione ushtarake nëse vlerëson se Teherani nuk po i zbaton detyrimet e marra.
Duke folur para gazetarëve, presidenti amerikan përsëriti se marrëveshja SHBA–Iran është veçanërisht e fortë, edhe pse detajet e saj nuk janë bërë ende publike. Sipas tij, tregjet financiare janë përfituesit kryesorë të kësaj marrëveshjeje, pasi ulja e tensioneve ka ndikuar pozitivisht në klimën ekonomike.
“Ata që janë vërtet të kënaqur janë tregjet”, tha Trump, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit pritet të hapet plotësisht brenda një ose dy ditëve të ardhshme.
Duke komentuar çmimet e naftës, Trump deklaroi se ato mbetën të ulëta falë operacioneve ushtarake amerikane në rajon.
“Arsyeja pse çmimi i naftës mbeti i ulët është se çdo natë shkatërronim anije, pa e ditur askush. Një muaj më parë shkatërruam 22 anije. Mesatarisht shkatërronim nga 15 deri në 25 anije çdo natë. Askush nuk e dinte këtë. Marina jonë bëri një punë të shkëlqyer. Për këtë arsye nafta nuk arriti në 300 dollarë për fuçi; shkoi në 125 apo 150 dollarë. Tani është në 72 ose 73 dollarë dhe kam dëgjuar se ka rënë edhe më poshtë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse marrëveshja mund të konsiderohet përfundimtare, Trump u përgjigj negativisht.
“Jo, nuk është përfundimtare”, tha ai, duke sqaruar se bëhet fjalë për një Memorandum Mirëkuptimi, i cili përbën hapin e parë të një procesi më të gjerë negociatash.
Presidenti amerikan përdori gjithashtu një gjuhë të ashpër për të përshkruar pasojat e mundshme të dështimit të marrëveshjes.
“Është një Memorandum Mirëkuptimi. Nëse nuk më pëlqen, do të rikthehemi te të shtënat dhe bombardimet mbi kokat e tyre”, deklaroi Trump.
Në të njëjtën linjë, ai shtoi: “Nëse nuk më pëlqen mënyra se si do të sillen, do të rikthehemi menjëherë te bombardimet.”
Në një tjetër pjesë të deklaratave të tij, Trump hodhi poshtë raportimet sipas të cilave marrëveshja SHBA–Iran përfshin 300 miliardë dollarë fonde rindërtimi për Teheranin.
“Nuk po japim as edhe 10 cent”, tha ai. “Nuk po investojmë dhe nuk ekziston asnjë fond i tillë.”
Ai shtoi se nuk po u kërkon vendeve të Gjirit Persik të investojnë në Iran, por theksoi se nuk do të kishte kundërshtime nëse ato vendosin ta bëjnë këtë.
“Do të thosha se nuk do ta bëjnë për një periudhë kohe, derisa të shohin sjelljen e iranianëve”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu kritikat ndaj paraardhësit të tij, Barack Obama, duke e akuzuar se kishte “joshur” Iranin gjatë marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Sipas Trump, administrata Obama i dorëzoi Teheranit 1,7 miliardë dollarë në para të gatshme, të transportuara me avion. Ai pretendoi se ky ishte një përpjekje për të fituar mbështetjen e Iranit përmes koncesioneve financiare.
Këto deklarata pasqyrojnë qëndrimin e Trump se marrëveshja aktuale duhet të mbështetet në presion dhe verifikim të vazhdueshëm, ndërsa procesi i negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet ende i hapur.
Lini një Përgjigje