Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se mospajtimet nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet strategjike mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë publike, Meloni u shpreh se nuk është ndier e prekur nga komentet e Trump dhe se i konsideron të natyrshme dallimet në qëndrime mes aleatëve. “E prisja këtë. Mendoj se guximi qëndron te shprehja e mendimit edhe kur nuk jemi dakord”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se marrëdhëniet e forta ndërtohen pikërisht mbi këtë bazë: sinqeritet dhe gatishmëri për të shprehur hapur qëndrimet. Sipas saj, kjo nuk vë në pikëpyetje raportet historike me SHBA-në, por i forcon ato. “Miqtë të ndihmojnë edhe kur të thonë se nuk janë dakord”, theksoi kryeministrja.
Meloni u ndal edhe te situata në Gjirin e Hormuzit, duke rikujtuar se Italia ka propozuar që një mision i mundshëm në zonë të ketë mbulim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sipas saj, kjo nismë nuk është realizuar për shkak të vetos në Këshillin e Sigurimit nga SHBA dhe Kina.
Ajo theksoi se nëse vetoja nuk hiqet në javët në vijim, çdo angazhim duhet të kushtëzohet nga një armëpushim dhe një mbështetje e gjerë ndërkombëtare. Meloni nënvizoi se çdo mision duhet të ketë karakter vetëm mbrojtës.
Në përfundim, ajo deklaroi se Italia duhet të marrë pjesë në një iniciativë të tillë, por vendimi përfundimtar i takon Parlamentit, duke respektuar procedurat institucionale të vendit.
Lini një Përgjigje