Sulmet ajrore amerikane në territorin iranian kanë shkaktuar viktima dhe kanë rritur më tej tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit. Sipas autoriteteve lokale, të paktën një person humbi jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën pas një goditjeje ndaj një baze ushtarake në qytetin Nain, në provincën Isfahan.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga memorandumi i përkohshëm i mirëkuptimit mes dy vendeve, duke paralajmëruar se Teherani nuk do të vijojë zbatimin e marrëveshjes nëse Uashingtoni nuk përmbush angazhimet e tij.
Baghaei deklaroi se Irani ka marrë pjesë në të gjitha negociatat "me seriozitet dhe kujdes", duke theksuar se interesat e popullit iranian kanë qenë gjithmonë prioritet.
"Kur arrihet një marrëveshje, Republika Islamike e Iranit vepron me mirëbesim dhe përmbush angazhimet e saj. Ajo kurrë nuk ka qenë pala e parë që shkel detyrimet e saj", tha Baghaei.
Sipas tij, nëse SHBA nuk respekton angazhimet e marra dhe nuk ndërmerr hapa për t'i dhënë fund luftës, Irani do të pezullojë zbatimin e memorandumit.
"Sa herë që pala tjetër nuk i përmbushte detyrimet e saj, ne ndalonim edhe zbatimin e tonave. Kështu do të vazhdojmë të veprojmë", u shpreh ai.
Baghaei deklaroi gjithashtu se kërkimi i drejtësisë për vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, mbetet një "parim themelor" për qeverinë iraniane.
Ai tha se Ministria e Jashtme po angazhohet për të përdorur "të gjitha mjetet ligjore dhe ndërkombëtare" për të dokumentuar, sipas autoriteteve iraniane, krimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, si dhe për të kërkuar përgjegjësi ndërkombëtare.
Zëdhënësi iranian bëri të ditur gjithashtu se kontaktet ndërmjetësuese mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit. Ai shtoi se Irani po punon me Omanin për krijimin e një mekanizmi të përbashkët për administrimin e çështjeve që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, por pretendoi se presioni i ushtruar nga SHBA ndaj sulltanatit po e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje.
Ndërkohë, deklaratat e Baghaeit vijnë pasi autoritetet iraniane raportuan se të paktën një person humbi jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën në një sulm ajror amerikan ndaj një baze ushtarake në qytetin Nain, në provincën Isfahan. Më herët gjatë ditës, mediat iraniane njoftuan edhe për një tjetër viktimë dhe katër të plagosur pas një sulmi amerikan në rajonin Mahshahr.
Lini një Përgjigje