
Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë të re, ku beteja për ndikim është përqendruar te kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.
Kështu u shpreh Mehran Kamrava, profesor i qeverisjes në Universitetin Georgetown në Katar, i cili në një intervistë për "CNN" tha se konflikti është shndërruar në një "luftë shumë të vendosur se kush e kontrollon Ngushticën e Hormuzit".
Sipas Kamravës, Irani është i vetëdijshëm se nuk mund të rivalizojë ushtarakisht me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndaj po ndjek një strategji tjetër.
"Irani është shumë i vetëdijshëm për faktin se nuk mund t’i përballojë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Prandaj, po përpiqet ta kthejë konfliktin nga një konflikt ushtarak në një ekonomik", tha ai.
Profesori shtoi se Teherani, deri diku, ka arritur ta realizojë këtë objektiv duke e vendosur Ngushticën e Hormuzit në qendër të përplasjes strategjike. "Irani është i vendosur ta mbajë Ngushticën e Hormuzit si një burim ndikimi", deklaroi Kamrava.
Ai theksoi se synimi i Iranit është të krijojë ndikim mbi këtë korridor detar, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta kufizojnë këtë aftësi.
"Irani dëshiron të krijojë një lloj ndikimi administrativ dhe amerikanët janë të vendosur ta minojnë këtë ndikim", u shpreh ai.
Gjithashtu, SHBA ka deklaruar se operacionet e saj ushtarake synojnë të dobësojnë kapacitetet iraniane për të sulmuar anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimin me energji në nivel global.
Kamrava theksoi se fokusi i konfliktit tashmë është zhvendosur plotësisht në këtë zonë strategjike. "Tani gjithçka ka të bëjë me Ngushticën e Hormuzit", përfundoi ai.
Se aty rrjedh paraja! Dhe amerikanet jane cakej, kur eshte puna per para! Kanalin e Panamase e kane, pse mos kene edhe kete!