Më shumë se 10 mijë persona janë raportuar të zhdukur pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën Venezuelën gjatë natës, sipas një platforme të krijuar për gjurmimin e personave të zhdukur.
Faqja është shpërndarë në internet, përfshirë rrjetin social X, nga drejtues të opozitës venezueliane, shumë prej të cilëve ndodhen jashtë vendit dhe po publikojnë përditësime mbi situatën humanitare.
Sipas të dhënave të platformës, deri në orën 05:40 sipas kohës lokale, mbi 10 mijë persona rezultonin të paidentifikuar ose të zhdukur.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se deri tani janë konfirmuar të paktën 164 viktima dhe 971 të plagosur si pasojë e dy tërmeteve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është ende herët për të përcaktuar vlerën e ndihmës që Shtetet e Bashkuara do t'i ofrojnë Venezuelës.
"Ata kanë nevojë menjëherë për ekipe kërkim-shpëtimi. Njerëzit duhet të nxirren nga rrënojat brenda 48 orëve, përndryshe shanset për mbijetesë bien ndjeshëm", tha Rubio.
Ai shtoi se presidenti Donald Trump "ka shprehur angazhim të plotë për të mbështetur Venezuelën".
I pyetur nëse katastrofa mund të ndikojë në procesin e stabilizimit të vendit pas largimit nga pushteti të Nicolás Maduro-s në fillim të këtij viti, Rubio u përqendrua te aspekti humanitar.
"Mendoj se Venezuela do të dalë më e fortë nga kjo tragjedi, pavarësisht sfidave me të cilat po përballet aktualisht", deklaroi ai gjatë një vizite në Bahrein, përpara përfundimit të turit të tij në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do të dërgojë menjëherë 85 specialistë të kërkim-shpëtimit në Venezuelë. Pas një bisede me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez, Macron tha se Franca, së bashku me partnerët evropianë, është e gatshme të ofrojë ndihmë për popullsinë e prekur.
Edhe Holanda njoftoi dërgimin e një ekipi shpëtimi, duke akorduar rreth 2 milionë euro për dislokimin e personelit, qenve të kërkimit dhe pajisjeve të specializuara.
Lini një Përgjigje