Rama ka reaguar duke refuzuar çdo ide për dialog me ata që kërkojnë largimin e tij. Ai thotë se "BESA" e tij është me qytetarët që e kanë votuar dhe se kontrata politike vazhdon deri në vitin 2029.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetin social X, duke iu përgjigjur kritikave dhe thirrjeve për dorëheqje që, sipas tij, kanë ardhur pas deklaratës për "Bulevardin e Flamingove".
Me një gjuhë të ashpër dhe plot metafora, Rama i cilëson si "muhabete sorrash e korbash" komentet dhe mesazhet që, sipas tij, i kanë mbërritur në rrugë të ndryshme, ndërsa thekson se nuk ka asnjë arsye të hyjë në dialog apo negociata me ata që kërkojnë largimin e tij.
"Asnjë prej tyre s'më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s'kam kontratë dhe për asnjë prej tyre s'më ka shkuar ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë", shkruan Rama, duke shtuar se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve dhe jo nga protestuesit që mblidhen në bulevard.
Kreu i qeverisë sqaron se fjala e tij për "flamingot" nuk u drejtohej protestuesve, por ishte një reflektim mbi mësimet që, sipas tij, kishte nxjerrë nga ajo metaforë. Ndërsa "sorrat dhe korbat", sipas Ramës, përfaqësojnë "anën e errët të protestës" dhe nuk kanë lidhje me atë që ai e quan "BESA" e tij me qytetarët.
Rama shkon edhe më tej, duke deklaruar se protestuesit mund të vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij edhe deri në vitin 2029, pasi, sipas tij, kjo është e drejtë demokratike, por nuk ndikon në mandatin që ai thotë se ka marrë nga shumica e votuesve.
Me një gjuhë të ashpër dhe metafora të shumta, kreu i qeverisë thekson se nuk ka ndërmend të prishë "kontratën" me qytetarët që e kanë votuar, ndërsa u përgjigjet edhe atyre që, sipas tij, refuzojnë çdo dialog dhe kërkojnë vetëm largimin e tij nga detyra.
"Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment: Përsërisin që s'duan 'dialog', s'ka 'negociata', s'japin 'besë' po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh. Asnjë prej tyre s'më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s'kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s'më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo! Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove. Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve. Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s'ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike", shkruan Rama në X.
Lini një Përgjigje