Rikthimi i papritur i ish-ministres së Arsimit në garën lokale në Kosovë ringjall dyshime për një operacion të madh politik mes Tiranës dhe Prishtinës...
Besa Shahini, ish- ministrja e Arsimit në qeverinë e Edi Ramës, ka shpallur papritur kandidaturën e saj për kryetare të Prishtinës.
Edi Rama, e mori Besa Shahinin dhe një grup të tjerë politikanësh të Kosovës, pjesë e Vetëvendosjes, në qeverinë e tij, si skemë e një loje poshtë brezit ndaj Albin Kurtit.
Në momentin kur kryeministri i Kosovës vuante nga një sëmundje serioze, e la përkohësisht drejtimin e lëvizjes në duart e Visar Ymerit dhe një grupi tjetër politikanësh. Të cilët me financimin e Devollëve dhe Hashim Thaçit, tentuan të zëvendësojnë lidershipin e Vetëvendosjes me një grup anti-Kurti. Ishte një puç në kuptimin e vërtetë të fjalës i mbështetur nga Thaçi.
Puç, i cili dështoi si pasojë e rezistencës së aktivistëve të Vetëvendosjes që rizgjodhën sërish Albin Kurtin.
Pjesëtarët e puçit, vepruan në disa shtigje. Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Prishtinës, negociator i rebelimit, u larguar dalëngadalë nga politika së bashku me të tjerë si Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Visar Ymeri Dardan Mulliqaj, dhe formuan Partinë Socialdemokrate të Kosovës.
Ndërkohë, të tjerë si Besa Shahini, Hajrullah Çeku dhe Gent Çakaj, gjetën strehë në qeverinë e Edi Ramës.
Gent Cakaj si ministër i Jashtëm, Besa Shahini si zv.ministre e më pas ministre e Arsimit, ndërkohë që Hajrullah Çeku u emërua zv.ministër i Kulturës.
Çeku nuk qëndroi shumë dhe u bashkua sërish me Vetëvendosjen, me të cilën u zgjodh deputet dhe aktualisht ministër në detyrë i Kulturës së Kosovës.
Besa Shahini u largua 4 vjet më parë, ndërkohë që bashkëshorti Dardan Mulliqi është një kundërshtar i ashpër i Vetëvendosjes dhe eksponent i lartë i Partisë Socialdemokrate në Kosovë.
Parti e cila, në opozitën e Albin Kurtit, ka tentuar të kopjojë teknikat aktiviste dhe “guerile” të Vetëvendosjes kur ishte në opozitë, por pa ndonjë sukses të dukshëm.
Kandidatura e befasishme e Besa Shahinit për kryetare e komunës së Prishtinës është një lëvizje që deri më tani është bërë në heshtje, pa shumë bujë, por me shumë jehonë prapa skene.
Bën çudi që njeriu që e ka mbështetur më shumë në Tiranë, Baton Haxhiu, s’ka shkruar asnjë rresht në portalin e tij. Televizioni i Devollëve ka bërë vetëm një lajm të thatë. I vetmi nga kundërshtarët e Albin Kurtit që ka thanë diçka pozitive për Shahinin është Berat Buzhala.
I cili në faqen e tij shkruan: “Nuk jam i sigurt a është Besa Shahini kandidate e PSD'së per Prishtinën, apo në çfarë kapaciteti ka me kandidu, por ngjashëm, sikurse Natyra Kuci për Deçanin, edhe Besa për Prishtinën jam i sigurt qe janë super kandidate, që kanë me e bo garën ma të mirë e ma profesionale”.
E gjitha kjo vjen pas një kaosi që mbretëron në opozitën e Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Albin Kurti, po bën takime të ndara me pjesëtarë të opozitës që të krijojë një koalicion qeveritar në Kosovë, pasi Vetëvendosja e vetme nuk i bën dot numrat.
Duket se një koalicion i tillë pritet të bëhet në prag të zgjedhjeve lokale të Kosovës që mbahen në vjeshtë. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte i pari që e refuzoi kërkesën për koalicion, ndërkohë që ka sulmuar segmente opozitare kundër kryetarit aktual të Prishtinës Përparim Rama. I cili fitoi 4 vjet më parë me mbështetjen e PDK-së dhe AAK-së në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Shahini, nëse del si kandidate pa përkrahje politike, nuk kualifikohet dot në raundin e dytë, ndërkohë që duket se ka një prapaskenë më të thellë.
Loja, ku Edi Rama ka hyrë si shkes, ka gjasa të jetë një tentativë për të bashkuar Vetëvendosjen me PDK-në, në një koalicion të gjerë, i cili do të jetë në gjendje të arrijë më pas mundësinë për reforma dhe vendime të forta.
A është Shahini një ‘gur shahu’, një përpjekje e Edi Ramës për të hyrë në krushqi për martesën e Albin Kurtit me PDK-në, duke vënë ish-ministren si kandidate e përbashkët e Prishtinës?
Apo është një provokacion i radhës. Herët për ta thënë, por deri tani ka një lëvizje mjaft kritike kundër Përparim Ramës nga përkrahësit e PDK-së në mediat e Prishtinës, Që janë një sinjal që tregon se ka një ndryshim kursi që padyshim që do të bëhet më i qartë në të ardhmen. Fakt është se angazhimi i PDK-së në qeveri, mund të jetë parë edhe si mundësi për të ndihmuar të burgosurit e Hagës nga ana e Edi Ramës, si një zhvillim gjithëpërfshirës.
Herën e fundit që doli në Pressing në T7, Baton Haxhiu nuk ishte më i ashpër me Albin Kurtin. Dhe kjo është një shenjë…/Pamfleti
Lini një Përgjigje