TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi13 Maj 2026, 16:04

Bordi i Transparencës rrit sërish çmimet e karburanteve, shtrenjtohen nafta dhe benzina

Shkruar nga Pamfleti

Bordi i Transparencës rrit sërish çmimet e karburanteve,

Bordi i Transparencës ka rritur sërish çmimet e karburanteve, duke çuar naftën në 201 lekë/litër dhe benzinën në 187 lekë/litër.

Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke shtrenjtuar si naftën ashtu edhe benzinën.

Sipas vendimit të fundit, nafta do të tregtohet me 201 lekë për litër, ose 4 lekë më shumë krahasuar me çmimin e mëparshëm. Ndërkohë, benzina do të shitet me 187 lekë për litër, duke pësuar një rritje prej 5 lekësh.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi këtë të martë, më 13 maj, në orën 18:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të reflektohen ndryshimet e reja të tregut ndërkombëtar të karburanteve.

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të naftës dhe benzinës për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të përcaktuara, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet pezullim i aktivitetit.

Njoftimi i plotë i Bordit të Transparencës:

“Bordi i Transparencës në datë 13 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 201 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 189 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 13 ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%".

bordi nafte rritje cmim karburant benzine

Lini një Përgjigje