TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi16 Shkurt 2026, 14:22

Këshilli Mbikqyrës i BSH, 3 emrat që mbështet grupi i PS; mes të preferuarve edhe Holta Zaçaj

Shkruar nga Pamfleti

Këshilli Mbikqyrës i BSH, 3 emrat që mbështet grupi i PS;

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës...

Grupi Parlamentar socialist ka mbështetur 3 nga 20 emrat që kishin shprehur interes për t’u zgjedhur si anëtarë të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë.

Në mbledhjen e thirrur paraditen e sotme, deputetët socialistë kanë shprehur mbështetjen për Selami Xhepën, Holta Zaçajn dhe Matilda Shehun, ndërsa jashtë listës së të preferuarve ka mbetur Luljeta Minxhozi, që kërkonte një tjetër mandat në Këshillin Mbikqyrës.

Vakanca në Këshillin Mbikqyrës së BSH-së ishte për 6 vende, 3 prej të cilave i cakton Qeveria dhe 3 të tjera Kuvendi.

Qeveria ka propozuar dy nga 3 emrat që janë Ervin Mete, ish-ministër i Financave dhe Jonida Prifti, që vjen nga sektori bankar.

Selami Xhepa, me një karrierë të gjatë akademike dhe institucionale, konsiderohet si një prej emrave më afër opozitës. Në këtë kuadër duket se Kuvendi do të ruajë balancën, duke mbështetur një prej ekspertëve që ka dhënë kontributin e tij në qeverisjen e drejtuar nga Berisha. Gjatë seancave dëgjimore, Xhepa ka vënë theksin te sfidat që lidhen me format e reja të parasë dhe nevojën për një kuadër rregullator më dinamik.

Matilda Shehu, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, vuri theksin te mbrojtja e konsumatorit financiar. Ajo u shpreh në favor të krijimit të institucionit të ombudsmanit financiar, sikundër theksoi nevojën e forcimit të zbatimit të ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në veprimtarinë e sistemit bankar në vend.

Ndërkohë mes emrave që kanë marrë suportin e mazhorancës socialiste bie në sy ai i Holta Zaçaj, ish-Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, e cila shkaktoi edhe një debat të fortë në rradhët e gjyqësorit për shkak të interpretimit të mandatit të saj, pra kur i përfundonte koha si anëtare e kësaj gjykate. Madje ajo iu drejtua edhe Komisionit të Venecias, ku kërkonte interpretim lidhur me atë se kur i fillonte dhe kur mbaronte mandati i një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu Zaçaj kërkoi disa herë që Kuvendi të zbatonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sikundër krijoi polemika në distancë sa i takon atyre që ajo i konsideronte si presione politike. Gjithsesi me të dorëzuar mandatin si anëtare e Kushtetueses, Zaçaj nxitoi të garonte për një vend në Bankën e Shqipërisë, sapo nga Këshilli Mbikqyrës u shpallën vakancat.

Teksa plotësonte kriteret formale dhe kaloi fazën e parë, Zaçaj në një prej seancave dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, u shpreh për forcimin e rolit të Këshillit Mbikëqyrës si garant i misionit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Ajo nënvizoi balancën mes pavarësisë institucionale dhe transparencës së llogaridhënies, sikundër vuri theksin te mbrojtja e konsumatorit financiar dhe funksionimi i ndershëm i tregut përmes një mbikëqyrjeje të paanshme.

Në fund të 2025 u shpall vakanca për 6 vendet në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anëtarëveq ë iu ka përfunduar mandate janë Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha, Suela Popa, Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Violeta Staka.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës.

Aktualisht të vetmit anëtarë që kanë mandat janë guvernatori Gent Sejko, zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli./Pamfleti/

banka e shqiperise keshilli mbikqyres emrat

Lini një Përgjigje