TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Janar 2026, 15:22

“Bordi i Paqes”, opozita e dëshpëruar dhe kryeministri agresiv!

Shkruar nga Mentor Kikia
“Bordi i Paqes”, opozita e dëshpëruar dhe kryeministri
Edi Rama sot në Kuvend

Rama u ekzaltua nga ftesa dhe e shiti në pazarin e çmendinës tonë si një mrekulli politike për veten. Ndërsa Berisha, i trembur se Rama kishte përmirësuar marrëdhëniet me SHBA dhe se skenari “i zbarkimit anglo-amerikan” për të çliruar Shqipërinë nga Ramaduro po binte, shpërtheu në të njëjtin pazar, duke mohuar e kritikuar ftesën e karakterin e saj personal...

Së pari, debati për ftesën e presidentit Trump që Shqipëria të jetë në Bordin e Paqes dhe seanca plenare e kësaj të enjteje, konfirmuan se politika shqiptare është një spital psikiatrik. Dhe marrja e saj seriozisht është në dëm të shëndetit mendor.

Rama tha se karrigia në këtë Bord nuk ka faturë financiare. Ky është lajm i mirë për ne s’kemi as gjenerator për reanimacionin e spitalit kirugjikal.

Pjesa tjetër është çmendinë!

Ftesa që Shqipëria të jetë pjesë e këtij Bordi është një gjë shumë e mirë. Në çdo drejtim është shumë e mirë. Tek e fundit, politika jonë e jashtme ka qenë gjithmonë në të njëjtën linjë me politikën amerikane, edhe kur kemi votuar kundër rezolutave që dënonin krimet ne Gaza.

Kaq!

Por, Rama u ekzaltua nga ftesa dhe e shiti në pazarin e çmendinës tonë si një mrekulli politike për veten. Ndërsa Berisha, i trembur se Rama kishte përmirësuar marrëdhëniet me SHBA dhe se skenari “i zbarkimit anglo-amerikan” për të çliruar Shqipërinë nga Ramaduro po binte, shpërtheu në të njëjtin pazar, duke mohuar e kritikuar ftesën e karakterin e saj personal.

Por seanca plenare në kuvend për ratifikimin e ftesës ishte më shumë se dëshpëruese.

I bindur se ftesa do të votohej nga të gjithë, bëri që Rama të notonte krenar në një det ekzaltimi politik, duke sulmuar opozitën e tulatur nga ideja se “zbarkimi amerikan nuk do të ndodhë”. Ai nuk iu përmbajt kënaqësisë që do ta shikonte opozitën “të votojë si çeçua ftesën e Trampit për të”, se “ai nuk do të shkojë në Amerikë me helikopterin e CIA-s, por do ta presin me eskortë dhe tapet të kuq, për ta çuar në Shtëpinë e Bardhë”…

Opozita, e rrënuar nga opozitarizmi i gjatë, i ka varur shpresat tek “aktorë jo politikë”, për ta larguar Ramën nga pushteti. Në një situatë të dëshpëruar, ajo iu kushtua një narrative të panevojshme, sipas të cilës Ramën do e largojnë amerikanët, se do të përsëritet Venezuela etj etj. Për Ramën, mjaftojnë e teprojnë akuzat për cilësinë e qeverisjes, ndërsa “anti-trampizmi” ishte një bast i vështirë për tu bërë kauz.

Kjo bëri që lufta politike të mos mbetet në kufinjtë e cilësisë së qeverisjes, por një konkurs se “kë do më shumë Amerika”. Duke e parë veten fitimtar në këtë të fundit tashmë, Rama iu sul opozitës si skifterët mbi një pulë të plagosur që nuk ngopen duke ia nxjerrë zorrët. Një udhëheqës duhet të dijë të menaxhojë edhe urrejtjen dhe famën, edhe dështimin, edhe suksesin, nëse do të quhet e tillë kjo ftesë.

rama berisha mentor kikia

Lini një Përgjigje