TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Janar 2026, 13:57

Gjermania në alarm: Luftë me Rusinë brenda dy viteve

Shkruar nga Oliver Moody
Gjermania në alarm: Luftë me Rusinë brenda dy viteve
Friedrich Merz /

Pas dekadave qetësi, Berlini po riaktivizon me nxitim planet e Luftës së Ftohtë për të përballuar një konflikt të mundshëm në shkallë të gjerë. Strategjia e re synon transformimin e vendit në një qendër logjistike të NATO-s, ku spitalet civile dhe rrjeti hekurudhor duhet të jenë gati për të përballuar sabotimet hibride dhe fluksin masiv të të plagosurve nga fronti lindor...

Rusia nis një luftë në shkallë të plotë kundër NATO-s dhe forcat e armatosura gjermane gjenden në qendër të aksionit që në orët e para. Një njësi e këmbësorisë së mekanizuar prej 4.800 trupash sulmon nga një bazë e përparuar në Lituani, përpara se 15.000 trupa të tjerë të forcave të reagimit të shpejtë të dërgohen me nxitim në front brenda pak ditësh.

Gjatë javëve në vijim, dhjetëra mijëra ushtarë aleatë mbërrijnë në portet gjermane të Detit të Veriut për t’u transportuar drejt lindjes përmes rrugëve dhe hekurudhave të goditura nga sabotimet ruse, sulmet kibernetike dhe ndoshta goditjet me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Shumë shpejt, qindra të plagosur në ditë do të transportohen për trajtim, duke i mbushur spitalet e Gjermanisë në një shkallë që ngjason me ditët më të errëta të pandemisë së koronavirusit.

Ky është skenari më i keq për të cilin po e përgatit vendin e tij gjeneral lejtant Gerald Funke, kreu i Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura Gjermane (UstgKdoBw), duke parashikuar se kjo mund të ndodhë brenda 2 ose 3 viteve.

Ai i thotë gazetës "Sunday Times": “Ndërsa në Afganistan kishim një numër fatkeqësisht të lartë, por të menaxhueshëm të plagosurish, tani më duhet të planifikoj për mundësinë e 1.000 të plagosurve në ditë. Sa më nga afër ta shikosh këtë skenar, aq më komplekse bëhet situata dhe aq më e vështirë është ta imagjinosh…”.

Duke pasur në dispozicion 55.000 trupa - një forcë më e madhe sesa shumica e ushtrive kombëtare evropiane - gjenerali me 3 yje është përgjegjës për një aparat të ri e të gjerë që përfshin gjithçka që nevojitet për të mbajtur gjallë përpjekjet e luftës pas vijës së parë të frontit.

Detyrat variojnë nga evakuimi dhe trajtimi i të plagosurve e menaxhimi i burimeve nga sektori privat, deri te dërgimi i furnizimeve dhe përforcimeve në fushën e betejës.

Detyra kryesore e Funke-s është të sigurojë që “platforma logjistike” në qendër të NATO-s evropiane të vazhdojë të funksionojë, edhe nëse numri i të vdekurve rritet, ka ndërprerje të energjisë elektrike, paralizohen linjat hekurudhore apo agjentët rusë shkaktojnë kaos kudo.

“Për momentin ajo që më shqetëson është lufta hibride: sabotimet, celula ruse të fjetura, sulmet specifike. Nuk mund ta përjashtoj përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, por mendoj se kërcënimi hibrid është tejet i lartë.

Për ne është jetike që ta ruajmë Gjermaninë si qendër logjistike dhe të menaxhojmë linjat e furnizimit sa më mirë që të jetë e mundur. Kjo do të thotë që nëse shkatërrohet një rrugë, ne duhet të kemi mundësinë të përdorim të tjera”- shprehet Funke.

Gjenerali, 61 vjeç, iu bashkua ushtrisë gjermane in vitin 1983, gjatë kulmit të tensioneve bërthamore në Luftën e Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik po përgatitej për një sulm parandalues gjatë stërvitjes së NATO-s “Able Archer”.

Që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Vija e frontit, e cila dikur kalonte përmes mesit të Gjermanisë, tani është gati 1600 km në lindje, përgjatë kufijve të Polonisë, shteteve baltike dhe Finlandës.

Teknologjitë si dronët, armët kibernetike dhe lufta elektronike e sofistikuar kanë transformuar ritmin dhe shtrirjen gjeografike të konfliktit. Megjithatë, po bëhet një punë shumë e madhe për të riaktivizuar “reflekset” e NATO-s dhe Gjermanisë për Luftën e Ftohtë, sidomos në drejtim të mobilizimit të popullatës, autoriteteve civile dhe sektorit privat.

“Duhet thënë qartë se pa mbështetjen civile brenda një koncepti të mbrojtjes totale, ne nuk do të ishim in gjendje të mbroheshim”- deklaron Funke. Para vitit 1990, Gjermania Perëndimore nuk kishte vetëm rekrutim të detyrueshëm ushtarak dhe gjysmë milioni njerëz nën armë, por edhe plane jashtëzakonisht të detajuara për çdo pjesë të ushtrisë dhe shoqërisë civile.

“Në atë kohë secili prej nesh e dinte saktësisht se ku do të pozicionohej në rastin e një lufte mbrojtëse. Madje tek gropa më e thjeshtë. Planet ishin shumë të sakta. Nuk kishim thjesht një ide të turbullt të tipit “jam diku pranë Kasselit”, por e dinim fshatin dhe cepin e pyllit ku do të qëndronim.

Tashmë kanë nisur diskutimet për ta rikthyer këtë qasje të Luftës së Ftohtë, duke u përgatitur maksimalisht për çdo gjë që mund të vijë. Trupat e mia po stërviten në Lituani me të njëjtat njësi, në mënyrë që ta njohin portin e Klaipedës, terrenin, kompanitë kritike dhe vendet ku mund të ngrenë baza për trajtimin e të plagosurve”- tregon ushtaraku i lartë gjerman.

Komanda e Funke-s, e krijuar gjatë riorganizimit të plotë të ushtrisë gjermane vitin e kaluar, po harton një version modern të sistemit të Luftës së Ftohtë për rekuizitimin e kamionëve, vagonëve, ushqimit dhe personelit në shkallë kolosale.

“Nëse trupat britanike do të lëviznin nëpër Gjermani, ato do të vinin përmes porteve si Emden ose Bremerhaven, dhe prej andej do të udhëzoheshin drejt krahut lindor. Gjatë rrugës, ato do të kenë nevojë për karburant, ushqim, pushim dhe trajtim mjekësor. Për të gjithë këtë proces të qendrës logjistike, ne do të mbështetemi shumë te organizatat dhe kompanitë civile. Aktualisht po punojmë për nënshkrimin e kontratave”- shton gjenerali.

Në rininë e Funke-s, operatori kombëtar hekurudhor, Deutsche Bahn, kishte “marrëveshje rezerve” sipas të cilave duhej të dorëzonte vagonë brenda 3 ditësh për transportin e pajisjeve ushtarake. Zyrat ushtarake mbanin lista të sakta të kamionëve që do të merreshin nga kompanitë logjistike.

Funke nënvizon: “Kjo nuk ishte e nevojshme gjatë viteve të ‘përfitimeve të paqes’ pas vitit 1990, dhe sistemi u la në harresë. Por mendoj se duhet të kthehemi pikërisht aty. Dhe po punojmë për këtë”. Disa kompani janë të vetëdijshme dhe po praktikohen, por shumë të tjera nuk e dinë as sa rezervistë do t'u thirren nga stafi i tyre.

“Sa më larg sektorit të mbrojtjes të jenë, aq më pak e shohin se si mund të preken,” tha Funke. “Nuk e them me keqdashje. Thjesht ata nuk i kanë kuptuar ende plotësisht pasojat e mundshme”- thotë gjenerali.

Ndërkohë edhe më sfidues është planifikimi mjekësor. NATO ende nuk ka përcaktuar saktësisht se si do të shpërndahen të plagosurit mes aleatëve. Por supozohet se Gjermania do të mbajë barrën kryesore.

Bundeswehr-i ka vetëm 5 spitale me 1.800 shtretër, që do të mbingarkoheshin menjëherë. Prandaj, po punohet me rrjetin e spitaleve civile, duke i ndarë ato në katër seksione që mund të rezervohen për krizat.

Kirurgu i Përgjithshëm Johannes Backus, thotë se plagët e luftës (armë zjarri dhe shpërthime) janë krejtësisht të ndryshme nga ato që trajtojnë zakonisht mjekët civilë. Një nëpunës i lartë civil në ministrinë e shëndetësisë e quajti këtë një detyrë tejet sfiduese: “Numri i përditshëm i pacientëve do të tejkalojë çdo gjë që imagjinojmë në kohë paqeje. Mund të përfundojmë in situata shumë të vështira…”.

Një tjetër problem është sistemi ligjor gjerman. Disa masa ushtarake kërkojnë votën e dy të tretave të deputetëve, gjë që nuk është e lehtë in një parlament ku mbi një e treta e vendeve mbahen nga e majta radikale dhe e djathta ekstreme, shpesh miqësore me Rusinë.

Analistët paralajmërojnë se vendit mund t'i duhet shumë kohë për të dalë nga “modaliteti i paqes”. Gjithsesi, Funke këmbëngul se ligji lejon një veprim të shpejtë në rast rreziku të afërt.

Gjermanët po shohin tashmë stërvitje si “Stuhia e Kuqe” në Hamburg, ku ushtria praktikoi lëvizjen nën sulmet e dronëve rusë. Në shkurt dhe mars, do të provohen evakuimet mjekësore nga Lituania dhe mbrojtja e rrugëve detare.

Natyrisht, ka edhe gabime. Gjatë një stërvitjeje në Bavari tetorin e kaluar, një polic i painformuar hapi zjarr ndaj një ushtari të veshur me kamuflazh që po qëllonte me fishekë manovre, duke e plagosur atë. Por Funke thotë se edhe këto aksidente janë pjesë e procesit të përgatitjes së shoqërisë./Pamfleti nga “Sunday Times”

gjermania në alarm luftë me rusinë

1 Komente

  1. D
    Dem Xhepa

    ju eshte mesu bytha me KaZZoN e ariut Rus. ju eshte lezetu perdhunimi

    Lini një Përgjigje