A do të funksionojë loja e Trump në përçarjen mes Iranit dhe vendeve arabe?

Irani po del nga konflikti me një pozicion më të fortë negociues dhe kërkon lehtësim të sanksioneve si kusht për hapjen e Hormuzit. Ndërkohë SHBA-ja po përpiqet të lidhë marrëveshjen me Iranin me zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit në Lindjen e Mesme. Kjo qasje synon të ndikojë vendet e Gjirit, por rrezikon të komplikojë negociatat dhe ekuilibrat rajonalë.
Irani gjendet në një pozicion force dhe kërkon nga SHBA-ja reduktimin e sanksioneve si pjesë e një marrëveshjeje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ndërkohë, Donald Trump po ndryshon skenarin diplomatik, duke kërkuar që disa vende të Lindjes së Mesme të nënshkruajnë Marrëveshjet e Abrahamit me Izraelin.
Sipas analistit Gianandrea Gaiani, drejtor i Analisi Difesa, dinamika mes SHBA-së dhe Iranit karakterizohet nga përshpejtime dhe frenime të papritura, por në përgjithësi negociatat po shkojnë drejt një marrëveshjeje. Irani, sipas tij, ka dalë i forcuar nga konflikti dhe tani po negocion pa qenë në pozicion nënshtrimi.
Trump e lidh marrëveshjen me Iranin me nënshkrimin e Marrëveshjeve të Abrahamit për vende si Arabia Saudite, Katari, Pakistani, Turqia, Egjipti dhe Jordania. Çfarë loje po luan?
Ai ka frikë se një marrëveshje paqeje me Iranin, duke treguar qartë rënien e ndikimit amerikan, mund t’i shtyjë këto vende të braktisin marrëveshjen me SHBA-në. Pra, ai druhet se ato mund të dalin nga orbita amerikane. Ndërkohë, Marrëveshjet e Abrahamit do t’i mbanin të lidhura me Amerikën dhe Izraelin. Megjithatë, është një kërkesë që nuk ka shumë kuptim, sepse shumë prej këtyre vendeve, nëse do t’i bashkoheshin, do të përballeshin me revolta popullore.
Cili është mesazhi ndaj Iranit?
Prej muajsh diskutohet një marrëveshje SHBA–Iran, duke krijuar shqetësim në Izrael, i cili është anashkaluar. Dhe tani Teherani duhet të presë që të gjitha vendet arabe të bëhen miq të Izraelit? Në këtë mënyrë Trump synon të konsolidojë një aleancë kundër iranianëve.
Nga këndvështrimi i regjimit të Teheranit kjo është e pakuptimtë: pas muajsh dialogu dypalësh, tani procesi bëhet shumëpalësh?
Shpjegimi i vetëm është se SHBA-të ndihen aq të dobësuara sa kanë frikë se këto vende do të shkëputen nga varësia ushtarake dhe strategjike ndaj Uashingtonit. Ose në Partinë Republikane kanë fituar Ted Cruz dhe Lindsey Graham, sipas të cilëve kjo marrëveshje e rrit fuqinë rajonale të Iranit.
Iranianët raportojnë progres, por marrëveshja nuk është afër. Çfarë po ndodh?
Lufta që u zhvillua, ajo e 40 ditëve, është fituar nga Irani, ose të paktën nuk është humbur prej tij. Asnjë nga objektivat që Izraeli dhe SHBA kishin shpallur publikisht nuk është arritur. Programi bërthamor ushtarak, nëse ekziston, pasi Irani gjithmonë e ka mohuar, nuk është shkatërruar.
Edhe programi raketor nuk është eliminuar dhe Irani, sipas inteligjencës amerikane, ka ende rreth 70 për qind të raketave që kishte në fillim të luftës. Prandaj çdo negociatë nuk mund të nisë me idenë e një diktati ndaj Iranit. Teherani po negocion nga pozita force.
Trump kërcënon me luftë nëse gjërat nuk zgjidhen. A ka ende një kartë për të luajtur?
Është një kërcënim i dobët, sepse raportet tregojnë se SHBA dhe Izraeli kanë mungesa në municione të rëndësishme, si raketa kruiz dhe raketa anti-raketë. Opsioni ushtarak është pak i besueshëm dhe jo i qëndrueshëm në kohë. Prandaj duhet negociuar me Iranin, i cili vendos kushtet e veta. Kjo e bën të vështirë arritjen e kompromisit, sepse të gjithë duan të dalin fitues.
Nga kampi iranian thuhet se po negociohet për përfundimin e luftës, jo për programin bërthamor. Pra për momentin po flitet vetëm për Hormuzin?
Irani dhe SHBA-ja po bisedojnë për shumë çështje që nuk i bëjnë publike. Teherani nuk ka problem të heqë dorë nga programi bërthamor ushtarak, sepse gjithmonë ka deklaruar se nuk synon ta zhvillojë. Është një lëshim që mund ta bëjë, por do ta shesë shtrenjtë: rishikim i thellë i sanksioneve dhe mundësia për të eksportuar sërish me heqje graduale të tyre.
Irani mund t’ua japë këtë “kënaqësi” amerikanëve për çështjen bërthamore, sepse e di që SHBA nuk mund t’i paraqesë Izraelit një marrëveshje që nuk përfshin eliminimin e programit iranian. Zgjidhja më e arsyeshme është që rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar mbi nevojat civile t’i dorëzohen Rusisë, e vetmja palë që mund të garantojë se nuk do të përdoren për qëllime ushtarake.
Cilat janë temat e tjera në tryezë?
Nafta. Për të nuk flitet shumë, por ka shumë gjasa që SHBA të kërkojë heqjen ose reduktimin e sanksioneve, që Irani të rifillojë eksportin e naftës dhe gazit, edhe në dollarë dhe jo vetëm në juan apo monedha të tjera. Për SHBA-në kjo është domosdoshmëri, siç e ka treguar edhe rasti i Venezuelës.
Në Hormuz, iranianët duan tarifa dhe kanë krijuar një autoritet për kalimin e anijeve. A mund të heqin dorë nga kontrolli i ngushticës?
Që kur duket se marrëveshja është afër, nuk po flitet më për tarifa. Irani kërkon një instrument për të riparuar dëmet e luftës, por SHBA-ja kërkon liri të plotë lundrimi. Irani mund të ushtrojë kontroll së bashku me Omanin, me të cilin ka pasur bisedime, por pa tarifa. Nga ana tjetër, SHBA mund t’i lejojë Iranit përfitime ekonomike duke lehtësuar më tej sanksionet, për të rritur eksportet e naftës dhe të ardhurat për rindërtim.
Pra s’do të ketë tarifa?
Tarifa në Hormuz për Iranin do të nënkuptonte shfaqje të hapur të fitores, gjë që SHBA nuk mund ta lejojë. Një neokonservator si Robert Kagan ka shkruar në The Atlantic se kjo ka qenë një luftë e keqplanifikuar që i ka “dhuruar Hormuzin Iranit”. Trump nuk mund ta pranojë këtë, sepse lidhet me imazhin e tij, sidomos nëse negociatat zgjasin deri në fund të korrikut, pak muaj para zgjedhjeve të mesmandatit.
Si do ta paraqesin të dyja palët marrëveshjen si fitore?
Irani mund ta paraqesë tashmë si fitore. SHBA-ja, nëse arrin të bllokojë programin bërthamor ushtarak iranian, që sipas Teheranit nuk ekziston, mund ta quajë sukses marrëveshjen e re. Si fitore do të shitet edhe rihapja e Hormuzit, ndonëse para sulmit amerikan ai ishte i hapur. Besohet se edhe Kina ka ushtruar presion ndaj Trumpit për një marrëveshje, sepse Irani nuk mund të trajtohej si fuqi e mundur ndërsa ende kontrollon ngushticën.
Pse Trump kaloi nga ultimatumet te kërkesa për kohë?
Askush nuk ka nxitim, sepse të gjithë duan të duken të qetë dhe të ekuilibruar, siç duhet të duket një fitues. Në fund, Irani do të përfitojë, por edhe SHBA-ja do të pretendojë sukses. Megjithatë, heqja e sanksioneve do ta forcojë regjimin iranian.
A mund të përsëritet rritja ekonomike si pas marrëveshjes me Obamën?
Po, mund të ndodhë diçka e ngjashme. Irani, ashtu si Kuba, nuk është një vend demokratik me pluralizëm politik, por varfëria e tij lidhet kryesisht me 50 vite sanksione amerikane, të cilave u janë bashkuar edhe vende të tjera, përfshirë ato evropiane.
Çfarë roli kanë Izraeli dhe lufta në Liban?
Irani dhe SHBA-ja kanë interes të arrijnë një marrëveshje të arsyeshme. Por Izraeli është pika e dobët e SHBA-së, pasi Irani kërkon që marrëveshja të përfshijë edhe përfundimin e armiqësive në Liban. Trump e ka siguruar Netanyahun se luftimet do të pezullohen, por mund të rifillojnë nëse Hezbollahu sulmon sërish.
Janë nuanca, sepse në atë zonë të gjithë sulmojnë të gjithë. Njëkohësisht, pika e dobët e Iranit është Hezbollahu, i cili vështirë se do të heqë dorë nga rezistenca, ashtu siç edhe ushtria izraelite vështirë se do të tërhiqet nga jugu i Libanit. Këto dy elemente mund të rrezikojnë marrëveshjen para dhe pas nënshkrimit.
A mund të ndjekë Netanyahu një strategji të re në Liban?
Ai mund ta paraqesë si sukses një Iran që heq dorë nga programi bërthamor dhe të pretendojë përfitime territoriale në jug të Libanit, jug të Sirisë dhe veri të Gazës. Kjo mund të jetë një narrativë politike e leverdishme për të./Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje