
Edhe kur pushteti flet për zhvillim, modernizim dhe sukses, në përditshmërinë e jetës së tyre njerëzit përjetojnë distancë, mungesë dëgjimi dhe përjashtim nga vendimmarrje që merren larg tyre.
Ky reflektim lindi jo nga dëshira për të dhënë përgjigje të gatshme, por nga shqetësimi i përditshëm që më shoqëron sa herë hyj në auditor dhe përballem me pyetjet, pasiguritë dhe heshtjen e brezit të ri.
Ndoshta sot sfida më e madhe nuk është vetëm kriza që përjetojmë, por mënyra se si po mësohemi gradualisht me të.
Po e ndaj këtë tekst jo si të vërtetë absolute, por si një ftesë për reflektim qytetar mbi shoqërinë, edukimin, heshtjen dhe aftësinë tonë për të mos e normalizuar humbjen.
Gjithnjë e më shumë, teksa hyj në auditor dhe shoh studentët përballë meje, më lind e njëjta pyetje:
- çfarë do të thotë të japësh mësim në ditët e sotme?
Sepse ato që diskutojmë në teori: - organizimi, shoqëria, përgjegjësia, e ardhmja përplasen çdo ditë me realitetin e tyre të përditshëm.
Ata nuk jetojnë në një abstraksion. Dhe realiteti, dalëngadalë, po i mpin.
Ata jetojnë në një vend ku merita nuk është gjithmonë garanci, por shpesh përjashtim; ku puna e ndershme jo gjithmonë shpërblehet, por përshtatja shpesh po dhe ku fjala ‘ e ardhme’ nuk ju tingëllon si premtim, por si pasiguri e tejzgjatur.
Dhe pyetja që nuk më largohet është kjo:
çfarë duhet t’u mësojmë sot të rinjve :
- Si të ëndërrojnë, apo si të përshtaten?
-Si të ndërtojnë, apo si të mbijetojnë?
Më kujtohet 1997.
Një popull doli në rrugë, i tronditur dhe furishëm, sepse u prek ajo që ishte më e drejtpërdrejta: siguria e jetës së përditshme _paratë, stabiliteti, besimi se sistemi i mban.
Atëherë reagimi ishte i menjëhershëm, kolektiv dhe I fuqishëm, sepse humbja ishte e dukshme dhe e papritur.
Sot, humbjet janë ndryshe.
Ato janë më të ngadalta, më të shpërndara dhe më të vështira për t’u emërtuar.
Të gjithë po shohim Rrjollin, Nartën dhe Zvërnecin, hapësira që dikur ishin pasuri natyrore dhe publike, ndërsa sot I shohim si territore të lëna në mes të interesave, projekteve dhe braktisjes apo harresës.
Shohim projekte si aeroporti I Vlorës që po kthehet në simbol përplasjeje të gjatë mes zhvillimit, interesave dhe mungesës së besimit publik.
Për më tepër, një vend që ende nuk ka mësuar plotësisht të mos e humbasë kujtesën e vet, rrezikon të përsërisë të njëjtin cikël: të shpallë “zhvillim”, ndërsa në terren të krijojë braktisje të reja, ashtu siç u bë me qindra ndërmarrje, fabrika dhe sektorë prodhimi që u zhdukën nën pretekstin e transformimit pas-komunist.
Por historia po na përsëritet tashmë jo vetëm ekonomikisht.
Janë toka që ndryshojnë pronarin pa dijeni.
Janë pyje dhe brigje që ngushtohen pas gardhesh dhe projektesh.
Janë qytete që ndërtohen pa dialoguar me ata që jetojnë në to.
Janë institucione që flasin, por gjithnjë e më pak dëgjohen si burim besimi.
Janë të rinj që largohen fizikisht dhe të tjerë që fillojnë të largohen mëndërisht nga ideja e qëndrimit.
Dhe kështu lind një pyetje më e thellë:
- si u shndruam në një shoqëri e aftë për intensitet emocional, por e paaftë për mbrojtje kolektive qytetare?
Sepse sot, shohim qe :
- spektaklet mobilizojnë më shumë emocion sesa ndërgjegje;
- konfliktet simbolike marrin më shumë vëmendje sesa mbrojtja e të mirave publike, e natyrës, e arsimit, e vetë të ardhmes.
Dhe kur këto bëhen dalëngadalë, njerëzit nuk shpërthejnë, fillojnë të mësohen dhe, pastaj tërhiqen.
Në këtë tërheqje ndodh diçka më e rrezikshme se kriza vetë: ajo bëhet normale.
- Njerëzit nuk shpërthejnë më përballë humbjes. Ata përshtaten.
Dhe këtu lind pyetja më e vështirë e kohës sonë:
- Çfarë ndodh me një shoqëri kur fillon të mësohet me humbjen e vet?
E pamjet e protestave të vogla, zërat e shpërndarë, autobuzët e vënë në dispozicion të përkrahësve pothuaj bosh, nga njerëzit e demoralizuar nga çfarë shikojnë përreth e nuk besojnë më se prania e tyre mund të ndryshojë diçka, nuk janë thjesht ngjarje. Janë simptoma të një gjendjeje më të thellë.
Sot shohim jo vetëm popullin e lodhur, por edhe gjuha po humbet forcën e zgjimit dhe mobilizimit, shpresa, po ashtu nuk ka më dritën që e karakterizon, por një lodhje të brendshme, por dhe vetë ideja se reagimi ka peshë po zbehet.
Dhe në vend të tyre mes nesh është krijuar trishtimi që së brendshmi thotë:
‘asgjë nuk ndryshon’,
‘të gjithë janë njësoj, vetëm flamujt ndryshojnë’,
‘gjithçka është e kotë’!!
Ky zë i brendshëm mund të na duket si arritje, pjekuri, mençuri, por në thelb është dorëzimi më i rrezikshëm, pasi s’ngjan si dorëzim.
Edhe kur pushteti flet për zhvillim, modernizim dhe sukses, në përditshmërinë e jetës së tyre njerëzit përjetojnë distancë, mungesë dëgjimi dhe përjashtim nga vendimmarrje që merren larg tyre. Arroganca e qeverisjes nuk shfaqet gjithmonë si forcë, por si normalizim i mosdëgjimit.
Kështu shoqëria ngadalë ndahet në dysh: njëra që flet dhe tjetra që mësohet të mos presë përgjigje.
E në këtë kohë, unë hyj në auditor jo për t’u dhënë studentëve iluzione apo dëshpërimisht pranimin, por për të ruajtur diçka më të vështirë:
- aftësinë që ata të shohin realitetin pa e normalizuar atë.
Sepse edukimi, në kohë të tilla, nuk mund të mbetet tek transmetimi njohurive, por në ruajtjen e ndërgjegjes.
Dhe ndoshta kjo është sfida jonë më e madhe:
- të mos lejojmë që e vërteta të bëhet e padukshme sepse është e papërshtatshme;
- të mos lejojmë që heshtja të bëhet strategji mbijetese;
- të mos lejojmë që trishtimi I brendshmën të na zëvendësojë mendimin.
Sepse një shoqëri nuk bie vetëm kur i merren pasuritë e saj.
Ajo fillon të bjerë kur njerëzit fillojnë të besojnë se nuk kanë më asgjë për të mbrojtur.
Dhe në këtë moment, kriza nuk është më politike.
Është njerëzore.
Dhe nëse kjo po ndodh , e vërteta nuk ka nevojë të bërtasë. Ajo thjesht vazhdon të jetë para nesh si e vërtetë.
Lini një Përgjigje