TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Korrik 2026, 17:48

Mazniku, Reforma Territoriale dhe ushtria e llogarive fiktive

Shkruar nga Luçiano Boçi
Mazniku, Reforma Territoriale dhe ushtria e llogarive fiktive
Luçiano Boçi

Është fabrikë propagande. Është mënyra se si pushteti përpiqet të krijojë popullin që nuk e ka më e duke e sajuar tani me emra të rremë, me mbiemra të rremë, me “like”, “share” dhe komente me komandë.

Mesazhi i A. Maznikut për Bashkitë i bërë viral është skandaloz!

Ky komunikim tregon qartë që përballë nuk kemi thjesht një mesazh të shëmtuar WhatsApp-i.

Kemi një radiografi të pushtetit.

Se si mendon, si vepron dhe si e përfytyron ai qytetarin.

A. Mazniku si Bashkëkryetar i Reformës Territoriale, pra njeriu që duhet të flasë për demokraci vendore, për përfaqësim, për zë qytetarësh dhe për pushtet pranë njerëzve, shfaqet në qendër të një logjike krejt tjetër nga ç’ka ka dashur të transmetojë përgjatë deklaratave në Komision, por të vërtetë.

Ai mendon e vepron me hapje të llogarive fiktive, faqeve false, komenteve të orkestruara, për të bërë “luftë” në rrjetet sociale kundër qytetarëve.

Ky është koncepti i PS në fakt, i transmetuar nëpërmjet këtij mesazhi të ish drejtuesit të pushtetit lokal dhe sot bashkëkryetar i reformës territoriale.

Mesazhi dëshmon se bashkitë sot janë dingas me ushtri të punësuar politike me “qen lufte” rrjetesh sociale që ditën bëjnë patronazhim vote e natën komente e sharje me profile false.

Ndërsa në dëgjesa e takime me ndërkombëtarët këta qahen e përgjërohen se Bashkitë e vogla e të mesme s’kanë kapacitete administrative, inxhinierë e arkitektë e për këtë arsye duhen shkrirë, nga ana tjetër punësojnë pa limit, me taksat e qytetarëve, njerëz që i paguajnë vetëm për të mundur algoritmin qytetar e të vërtetat qytetare.

Pra reforma për qytetarin, sipas Maznikut duhet të bëhet tani me të punësuar që krijojnë qytetarë të rremë, për të luftuar qytetarin e vërtetë e protestën e tij.

Demokracia vendore sipas tij, mbrohet me profile false.

Ndërsa debati publik duhet të zëvendësohet me repart komentesh.

Kjo nuk është politikë.

Është fabrikë propagande. Është mënyra se si pushteti përpiqet të krijojë popullin që nuk e ka më e duke e sajuar tani me emra të rremë, me mbiemra të rremë, me “like”, “share” dhe komente me komandë.

Mazniku duhet të japë shpjegime publike.

Jo vetëm si individ politik, por si bashkëkryetar i një procesi që prek drejtpërdrejt organizimin e pushtetit vendor në Shqipëri.

Sepse kush flet për territorin, por operon me identitete fiktive, nuk po ndërton reformë. Po administron manipulim dhe po kryen vepër penale.

Reforma territoriale nuk mund të jetë proces serioz kur njëri prej drejtuesve të saj lidhet me kulturën e llogarive false dhe të komentuesve me porosi. Shqipëria nuk ka nevojë për bashki të vizatuara nga propaganda, por për pushtet vendor që dëgjon njerëzit realë, hallet reale, komunitetet reale.

Në fund, pyetja është kjo:

Si mund t’i besohen harta e Bashkive të Shqipërisë një mazhorance që duket se nuk i beson as fytyrave të vërteta të qytetarëve?

p.s

Sa për shqetësimin e drejtë të ngritur nga opinionisti Endri Tafani, apo çdo qytetar tjetër, për mundësinë e dëgjesës me Erion Veliajn në komisionin e reformës territoriale, sqarojmë që PD nuk bëhet pjesë e dëgjesave false me Veliajn e Ramës të akuzuar për korrupsion.

Ne jemi me qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit të Ramës e Veliajt.

boci mazniku

Lini një Përgjigje