TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Mars 2026, 14:03

Nënat e heshtura të jetës

Shkruar nga Ilir Çumani

Nënat e heshtura të jetës

Kanë kaluar dekada të tëra, ndoshta më shumë se gjysmë shekulli, por fytyrat e tyre mbeten të qarta në kujtesë, si të gdhendura në një monument të padukshëm të mirësisë.

(Një mirënjohje për gratë që rritën femijet jetimë në Shtëpitë e Fëmijëve)

Sa herë në jetën e njeriut trokasin ditë të veçanta që shenjojnë ngjarje, data e histori, shpesh i rikthehem kujtimeve të së shkuarës, me mbresa që kanë lënë aq shumë gjurmë të gëzuara, por edhe gjurmë që më bëjnë të mendoj dhe të gërvish pak portat e kujtesës…

Ruaj një arkiv relativisht të bollshëm: shumë foto, dokumente e faksimile, të cilat më kanë shoqëruar në rrugëtimin e jetës, jo edhe aq të lehtë sa do të duhej ta kishte çdokush. Janë kujtime që nuk i zbeh as koha, as rrjedha e viteve, as pluhuri i harresës që shpesh mbulon gjithçka njerëzore.

Ato mbeten të gjalla si fotografi të pashlyeshme në shpirt. Janë kujtime që jetojnë brenda njeriut jo vetëm si fragmente të së shkuarës, por si themele të vetë qenies së tij.

Të tilla janë edhe portretet e atyre grave të urta e zemërgjera që shërbyen në Shtëpitë e Fëmijëve, gra të cilat për shumë fëmijë jetimë nuk ishin thjesht edukatore apo kujdestare – ato ishin, mbi të gjitha, nëna të jetës së dytë, që jepnin shpresë, jetë e gëzim krijesave më të pafajshme të kësaj bote.

Kanë kaluar dekada të tëra, ndoshta më shumë se gjysmë shekulli, por fytyrat e tyre mbeten të qarta në kujtesë, si të gdhendura në një monument të padukshëm të mirësisë.

Në fotografitë e vjetra bardhezi, ku dritat dhe hijet e kohës mbartin një solemnitet të veçantë nostalgjik, ato duken si figura të përkulura mbi ne, fëmijët, me një përkujdesje që shkon përtej detyrës dhe përtej profesionit.

Aty nuk është vetëm një rol social, por, më së shumti, një thirrje e brendshme njerëzore, një mision që rrallëherë e përshkruajnë librat e historisë njerëzore…

Në rendin e gjërave, këto gra ishin edukatore, kujdestare, punonjëse sociale. Por në rendin e vërtetë të shpirtit ato ishin nëna. Nëna pa lindur biologjikisht, por që lindnin dhe mbanin gjallë çdo ditë një ndjenjë sigurie tek fëmijët që kishin mbetur të zbuluar përballë kësaj bote dhe pa krahët e familjes.

Në përqafimet e tyre të përditshme, në dorën që fshinte një lot, në buzëqeshjen që qetësonte një frikë fëmijërie, fshihej një dimension i thellë human që shpesh nuk shihet nga jashtë.

Në aspektin social, këto gra përfaqësonin një shtyllë të padukshme të shoqërisë së asaj kohe, më të dhembshur, më sociale, më solidare…

Sepse shoqëritë e vërteta nuk maten vetëm me institucionet e tyre, (qoftë edhe kur ato marketohen nga propaganda dhe politika e ditës me fasada e godina luksoze, kinse me standarte e shërbime të kushtueshme që në fakt lënë shumë për të dëshiruar), por me nivelin e dhembshurisë që tregojnë ndaj më të pambrojturve.

Asokohe, Shtëpitë e Foshnjave dhe Shtëpitë e Fëmijëve nuk ishin thjesht ndërtesa, por hapësira ku shoqëria përpiqej të riparonte plagët e fatit.

Nënat e heshtura të jetës

Në qendër të kësaj përpjekjeje qëndronin këto gra, të qeta, të përkushtuara, shpesh pa bujë, pa lavdi publike, por me një ndikim të pamatshëm në jetën e qindra fëmijëve.

Nga këndvështrimi psikologjik, prania e tyre ishte një urë shpëtimi. Fëmijëria pa prindër është një boshllëk i madh emocional. Në atë boshllëk, çdo gjest i vogël dashurie bëhet një univers më vete. Një fjalë e butë, një përkëdhelje mbi flokë, një kujdes i përditshëm – të gjitha këto krijojnë një ndjenjë përkatësie që shpëton shpirtin e një fëmije nga vetmia.

Ato gra e dinin dhe e mbartnin instinktivisht këtë ndjesi. Pa marrë leksione e teorira psikologjike, pa manuale dhe pa tryeza të kushtueshme e të bujshme me tam-tame mediatike, siç sot ndodh rëmdomë nga propaganda e ditës.

Ato, më mirë se askush, kuptonin mbi gjithçka se një fëmijë jetim ka nevoja të gjithëanshme, e mbi të gjitha, për ngrohtësi njerëzore.

Figura e këtyre grave mishëron një arketip të lashtë të kulturës njerëzore: figurën e “nënës kolektive”. Në shumë shoqëri tradicionale, fëmijët nuk rriteshin vetëm nga nëna biologjike, por nga një komunitet i tërë grash që kujdeseshin për ta.

Kjo traditë e vjetër humane, e rrënjosur thellë në ndërgjegjen njerëzore, duket se gjeti vazhdimësinë e saj edhe në këto institucione, ku disa gra morën mbi vete rolin e një shtëpie të përbashkët.

Por përtej analizave sociologjike dhe antropologjike, mbi të gjitha mbetet dimensioni njerëzor dhe emocional. Për një fëmijë të vogël, ato gra nuk ishin koncepte apo funksione, por ngrohtësia e mëngjesit, siguria e mbrëmjes, drita që ndriçonte ditët e para të jetës.

Në kujtesën e atyre fëmijëve ato nuk janë vetëm punonjëse të një institucioni, por figura monumentale të JETËS dhe të dashurisë njerëzore.

Prandaj, kur sot, të gjithë ata që u rritën në këto institucione, mesiguri u rikthehen kujtimeve, atyre fotografive bardhezi, kujtimeve të një kohe të largët, ku në to nuk shohin vetëm një fragment historie, por një botë të tërë emocionesh që e kanë formuar jetën e tij.

Shohim këto gra të thjeshta, por me një madhështi shpirtërore që shpesh i tejkalon figurat e njohura të historisë publike.

Sepse historia e vërtetë e njerëzimit nuk shkruhet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por edhe nga gjestet e vogla të dashurisë, nga njerëzit e thjeshtë që ndryshojnë jetën e të tjerëve pa kërkuar asgjë në këmbim.

Dhe për shumë nga ne ish-fëmijë që u rritëm në ato shtëpi, këto gra do të mbeten përherë në kujtesë si shenjtoret e heshtura të jetës, monumente të gjalla të dhembshurisë, mirësisë dhe dashurisë njerëzore.

Para tyre, çdo fjalë mirënjohjeje duket e vogël, shumë e vogël…

Megjithatë, zemra e njeriut e di se një falënderim i thjeshtë, i thënë me përulësi, është ndoshta forma më e pastër e respektit.

Dhe kështu, në kujtesën tonë, të gjithë ne që u rritëm nën kujdesin e këtyre grave, ato do të mbeten gjithmonë aty, su dritë e butë në horizontin e fëmijërisë sonë, si një bekim i heshtur që na shoqëron përgjatë gjithë jetës.

Mirënjohje pafund, shenjtore të heshtura të dhembshurisë, dashurisë dhe mirësisë…!

Tiranë, e shtunë - 7 mars, 2026

Nënat e heshtura të jetësNënat e heshtura të jetës

ilir Çumani 7 marsi

Lini një Përgjigje