TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2026, 07:40

Zvërneci “shkon” në Strasburg, BE i kujton Ramës detyrimet për mjedisin

Shkruar nga Pamfleti
Zvërneci “shkon” në Strasburg, BE i kujton Ramës
Kreu i Grupit Parlamentar i PS

Protesta për Zvërnecin diskutohet në Strasburg, BE kërkon respektimin e standardeve mjedisore
Në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri u diskutuan protestat e qytetarëve dhe projekti në Zvërnec, ndërsa u trajtua edhe ecuria e negociatave të anëtarësimit.
Protesta e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec dhe zhvillimet që lidhen me të ishin ndër temat kryesore të mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, të zhvilluar në Strasburg. Përfaqësues të institucioneve europiane theksuan rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë dhe të detyrimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Në emër të Komisionit Europian, Sigrid Brettel nga Drejtoria për Zgjerimin deklaroi se protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa Shqipëria duhet të zbatojë angazhimet që burojnë nga Kapitulli 27 për Mjedisin.

"Është thelbësore të theksohet se liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera bazë të Bashkimit Evropian. Dialogu konstruktiv mes të gjithë aktorëve është rruga përpara. Siç është sqaruar më herët, në kuadër të negociatave të anëtarësimit, Shqipëria duhet të përmbushë kriteret përmbyllëse të përcaktuara në Kapitullin 27 për Mjedisin, që kërkon shfuqizimin e amendamenteve të 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, si edhe shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike", tha Brettel.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Clive Rumbold nga Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm, i cili kërkoi që çdo projekt të kalojë një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis dhe të respektohen angazhimet e marra nga Shqipëria.

"Ne presim që vlerësimi i plotë i ndikimit në mjedis të kryhet sipas standardeve më të larta, siç e theksoi edhe kolegu im nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, siç u nënvizua prej tij, presim që Shqipëria të respektojë angazhimin e saj të mëparshëm për të shfuqizuar Ligjin për Investimet Strategjike të vitit 2015 deri në fund të këtij viti. Dialogu konstruktiv mes të gjithë aktorëve të përfshirë është rruga përpara", tha Rumbold.

Nga ana e mazhorancës, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se projekti në Zvërnec nuk është miratuar ende dhe se çdo hap do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin dhe standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit.

"Projekti nuk përfshin shitjen e tokës publike, projekti mbetet në fazën e zhvillimit dhe ende nuk është miratuar projekti përfundimtar. Çdo zhvillim në të ardhmen do të kalojë të gjithë procedurat mjedisore të kërkuara nga ligji. Procesi do të përfshijë konsultime publike dhe do të garantojë transparencë me komunitetin lokal. Objektivi është të promovohet modeli i turizmit të qëndrueshëm që gjeneron vende pune, tërheq investime dhe mbështet zhvillimin e ekonomisë lokale; dhe në të njëjtën kohë ruan vlerat natyrore të zonës", tha Balla.

Opozita, ndërkohë, akuzoi qeverinë për qëndrimin ndaj protestuesve. Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, tha se protesta është një reagim qytetar dhe jo një veprim i nxitur nga faktorë të jashtëm.

"Dijeni se kjo protestë nuk është e nxitur nga Moska, nga Irani apo nga çdo 'armik i jashtëm' siç ka tentuar ta paraqesë qeveria shqiptare. Është reagim demokratik, paqësor që u rikthehet vlerave themelore perëndimore, pikërisht ajo lloj energjie qytetare që Bashkimi Europian duhet ta mbrojë, me vendosmëri absolute. Kur qeveria në Tiranë përpiqet ta kriminalizojë protestën, është detyra jonë si deputetë përfaqësues, por edhe e këtij forumi të përbashkët që të mos heshtë", deklaroi Këlliçi.

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe ecuria e procesit të integrimit europian. Taulant Balla bëri të ditur se Shqipëria pritet të mbyllë këtë javë negociatat për tre kapitujt e parë, që lidhen me politikën e jashtme, kërkimin shkencor, si edhe arsimin dhe kulturën.

zvërneci “shkon” në strasburg

Lini një Përgjigje