Autoritarët populistë po e shndërrojnë durimin në strategji fituese, duke sfiduar rendin liberal global. Ndërsa centrizmi shpërqendrohet nga ciklet zgjedhore dhe krizat e shpejta, udhëheqësit e fortë e përdorin kohën si armë politike. Liberalët mund të rikthejnë lojën vetëm duke rikalibruar filozofinë e tyre për sfidat e reja...
Gjatë karrierës si gazetar e kam takuar dy herë Benjamin Netanyahun. Herën e parë, po e intervistoja për ekonominë e start-up-eve në Izrael. Herën e dytë, vite më vonë, isha pjesë e një grupi të vogël akademikësh dhe gazetarësh, kryesisht amerikanë.
Në të dyja rastet, ai e solli bisedën tek kërcënimi nga Irani. Ai argumentonte se Irani synonte të ndërtonte një bombë bërthamore dhe ta përdorte atë për të eliminuar shtetin e Izraelit. Kërcënimi ishte ekzistencial dhe i dukshëm. Për këtë mjaftonte të dëgjoje çfarë thoshin iranianët ose të shihje çfarë po bënin.
Netanyahu nuk të linte asnjë dyshim se e shihte si misionin e tij kryesor parandalimin e një Holokausti të dytë. Gjithçka tjetër - lufta e pandërprerë për mbijetesë në sistemin politik të përçarë të Izraelit dhe pazaret e pafundme në skenën globale - ishin mjete për të arritur atë qëllim.
Është bërë tashmë e zakonshme të thuhet se jetojmë në epokën e “njerëzve të dorës së fortë”. Por më interesant është fakti që jetojmë edhe në epokën e njerëzve të duruar. Që epoka jonë e vrullshme të jetë njëkohësisht epokë e durimit, kjo është befasuese.
Falë medias 24-orëshe, jemi të bombarduar nga mesazhe kontradiktore; dhe falë fragmentimit të rendit global, jemi të përmbytur nga ngjarjet. Por vrulli dhe fragmentimi mund të jenë të dobishëm për njerëzit me qëllime të ngulitura dhe plane të hekurta.
Për ta përshtatur vargun e famshëm të Rudyard Kipling: ”Në mundsh ta ruash fokusin kur të gjithë përreth e humbasin, atëherë e jotja është Toka dhe gjithçka që gjendet në të”. Lojtarët më të mëdhenj të lojës së gjatë janë Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Putin e cilësoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX, dhe se zgjerimi i rendit liberal ishte kërcënim vdekjeprurës për interesat e “Nënës Rusi”.
Ndaj ai ia kushtoi jetën përmbysjes së të dy proceseve, duke forcuar ushtrinë dhe duke siguruar “afërsinë e tij të menjëhershme”. Gjithçka tjetër ishte zhurmë.
Ndërkohë, Xi ia kushtoi jetën shndërrimit të Kinës në fuqinë kryesore të botës nën sundimin e hekurt të Partisë Komuniste. Ai mori gjithçka i duhej nga bota kapitaliste, duke u mbështetur tek lakmia afatshkurtër e rivalëve dhe duke kundërshtuar çdo kërcënim ndaj pushtetit të tij dhe të partisë.
Edhe udhëheqës të tjerë autoritarë kanë shumë arsye për t’u mburrur. Narendra Modi ia ka kushtuar veten nacionalizmit hindu dhe shndërrimit të Indisë pluraliste në një shtet etnik. Recep Tayyip Erdogan e ka transformuar Turqinë nga një vend laik në një vend mysliman, dhe nga një sistem parlamentar në një presidencial.
Këta udhëheqës autoritarë janë ndihmuar nga institucionet e duruara. Putin ishte instrumenti i zgjedhur i planit të KGB-së për të ruajtur fuqinë ruse pas rënies së komunizmit. Në moshën 8-vjeçare, Modi iu bashkua Rashtriya Swayamsevak Sangh, një grup paramilitar hindu i djathtë, sot i lidhur ngushtë me Partinë Bharatiya Janata, duke u bërë sekretar i përgjithshëm i BJP-së në vitin 1998.
Ndërkohë, udhëheqësit e fortë të Perëndimit kanë pasur vetëm burimet e tyre të brendshme. Marine Le Pen, politikania më e duruar franceze që nga gjenerali Charles de Gaulle, e mori partinë periferike të atit dhe e shndërroi në një makineri politike të rafinuar, e cila, nëse rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve bashkiake këtë javë janë tregues, po shkon drejt fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Dhe kjo kërkoi një disiplinë të jashtëzakonshme personale. Ajo e përjashtoi babanë e saj të dashur Jean-Marie nga partia në vitin 2015 kur ai u bë barrë, duroi tri humbje poshtëruese në garat presidenciale të 2012, 2017 dhe 2022, dhe mund të detyrohet, nëse gjykatat nuk ndryshojnë mendim, që t’ia lërë vendin Jordan Bardellas në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Nigel Farage në Britani nuk trashëgoi një markë si Le Pen. Gjithsesi, ai i ka kaluar 30 vitet e fundit si fytyra kryesore e euroskepticizmit britanik, fillimisht i përqeshur si “i çmendur”, dhe më vonë i demonizuar si revolucionar.
Ai i ka mbijetuar shtatë kryeministrave, nga Tony Blair tek Rishi Sunak, dhe ka pasur ndoshta ndikim më të madh në politikën britanike sa çdo kryeministër që nga Margaret Thatcher. “Jam ndryshe nga 10 vite më parë? Po, pak më i thinjur. Por sa i përket ideve nuk kam ndryshuar aspak” - i tha ai një gazetari të Financial Times. “Jam si bateria Duracell! Thjesht vazhdoj përpara. Dhe do ta bëj derisa të kem fuqi”.
Por unë do të sugjeroja që edhe Donald Trump është një shembull i durimit. Mund të duket kundërintuitive duke pasur parasysh stilin e tij të vrullshëm e të shpërqendruar, por ai është, në fakt, një paradoks i çuditshëm: një njeri i duruar me mungesë vëmendjeje.
Ai është kthyer vazhdimisht tek të njëjtat fiksime që kur filloi të fliste për politikën në vitet 1970–1980: të këqijat e tregtisë së lirë, virtytet e Rusisë dhe gatishmëria e pjesës tjetër të botës për të përfituar nga pasuria dhe fuqia e Amerikës.
Fushata aktuale kundër Iranit duket si hakmarrje për poshtërimin e pengmarrjes së fundviteve 1970 në ambasadën amerikane në Teheran. Të gjithë këta njerëz të duruar kanë bërë gabime serioze. Për shembull, Netanyahu duke futur duart në “tenxheren e mjaltit”, apo Putin duke nënvlerësuar vendosmërinë e Ukrainës për të mbijetuar.
Por ata shpëtohen nga ndjenja e kohës. Putin dhe Xi e kuptuan se tejkalimi i Amerikës pas Luftës së Ftohtë përfaqësonte një mundësi për riekuilibrim. Netanyahu e kuptoi se rizgjedhja e Trump-it i ofronte një mundësi unike për të goditur Iranin.
Le Pen dhe Farage e kuptuan se dekadenca e establishmentit liberal krijonte mundësi unike për të jashtmit. A mund të konkurrojnë ndonjëherë centristët me udhëheqësit e fortë në lojën e pritjes? Ka plot arsye për t’iu përgjigjur negativisht.
Centristët nuk kanë zgjedhje tjetër veçse t’i kushtojnë vëmendje ritmit të cikleve zgjedhore dhe humorit të ndryshueshëm të elektoratit. Po ashtu, ata duhet të dëgjojnë media që pretendojnë se janë të lira, por që gjithnjë e më shumë drejtohen nga klikimet.
Madje, disa politologë kanë propozuar një “kompensim të padurimit” mes autokracisë dhe demokracisë. Angela Merkel i kaloi 16 vite si kancelare e Gjermanisë, nga viti 2005 deri në 2021-shin, duke u shtirur si e duruar, por në fakt duke u fokusuar tek fitoret e shpejta. Kryeministri britanik Keir Starmer ka prodhuar aq shumë kthesa të papritura që nga fitorja e tij e madhe në zgjedhjet e vitit 2024, saqë e ka harruar drejtimin ku po shkon. Megjithatë, duhet të kemi kujdes dhe të mos shpallim se liberalizmi centrist është i papajtueshëm me durimin.
Dy politikanët më të mëdhenj të Perëndimit në shekullin XX - Churchill dhe de Gaulle - ishin të dy mjeshtër të durimit dhe të kohës së duhur. Churchill u shpërfill si i mbaruar në vitet 1930, por vazhdoi të paralajmëronte për të këqijat e nazizmit nga shtëpia e tij në Chartwell.
De Gaulle u tërhoq nga jeta politike në gjatë viteve 1946-1958, i bindur se paqëndrueshmëria e Republikës së Katërt do ta detyronte kombin ta thërriste përsëri në detyrë. Burrat e Urtë që rindërtuan rendin liberal pas Luftës së Dytë Botërore krijuan një strukturë që zgjati për dekada dhe që, pavarësisht veprimeve të Putinit dhe Xi-së, vazhdon të funksionojë në njëfarë mënyre.
Disa nga këta gjigantë liberalë, si John Maynard Keynes, William Beveridge dhe Konrad Adenauer, ishin tashmë burra të moshuar në vitin 1945. Arsyeja pse centristët po humbasin “luftën e durimit” nuk ka të bëjë me kërkesat e demokracisë, por me dështimin e filozofisë liberale të formuar në vitet 1980 dhe 1990 për t’u përballur me sfida të reja, si fuqia e kompanive teknologjike, tensionet e imigracionit masiv dhe çrregullimet shoqërore. Churchill dhe de Gaulle i mbijetuan periudhave të gjata në “shkretëtirë” sepse e dinin çfarë donin të bënin me pushtetin. Starmer e ka shpërdoruar një shumicë të madhe sepse nuk di se çfarë mbron dhe përfaqëson.
Ekstremistët kanë gëzuar një avantazh të përkohshëm sepse e dinë çfarë duan të shkatërrojnë - rendin liberal botëror - dhe kanë qenë të pamëshirshëm në shkatërrimin e tij (përfshirë edhe korruptimin e politikanëve perëndimorë).
Por nuk ka asgjë që t’i pengojë liberalët të luajnë dhe të fitojnë lojën e durimit, duke rikalibruar mendimin e tyre për një epokë sfidash dhe mundësish të reja./Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje