
Edhe ne shqiptarët si komb kemi të drejtën e ligjshme të krenohemi, që kemi Kadarenë, Gjeniun e Letrave Europiane dhe Botërore, i përkthyer në mbi 50 gjuhë të ndryshme të Botës së sotme tetë miliardëshe...
Sot, më 28 janar, është ditëlindja e gjeniut tonë të madh Ismail Kadare, 90-vjetori i lindjes, e dyta herë kjo, që po e përkujtojmë pa praninë fizike të tij, i cili vitin 2024 e pat ndarë më dysh, duke u larguar në amshim, saktësisht në mëngjesin e 1 korrikut të atij viti! Homeri me kryeveprat e tij “Iliada” dhe “Odisea” të helenët, Konfucius, me katër librat e tij te kinezët, Virgjili me “Eneidën”, të latinët, Dante me “Komedinë Hyjnore” te italianët, Shekspiri me “Makbet”, “Hamletin” të britanikët, Servantes te spanjollët me “Don Kishotin”, Molieri të francezët, me “Kopracin” dhe “Tartufin”, Gëte te gjermanët me “Prometeu” dhe “‘Fausti”, Dostojevski me “Idioti” dhe “Krim e Ndëshkim” dhe Tolstoi me “Lufta dhe Paqja” e “Ana Karenina” të rusët, Mark Tuein me “Aventurat e Tom Sojerit” të amerikanët, Rabindranath Tagore, me poezitë e pakrahasueshme lirike te indianët (Çmimi Nobel – 1913) etj., etj., mbeten të përjetshëm falë veprës madhështore të tyre!
Edhe ne shqiptarët si komb kemi të drejtën e ligjshme të krenohemi, që kemi Kadarenë, Gjeniun e Letrave Europiane dhe Botërore, i përkthyer në mbi 50 gjuhë të ndryshme të Botës së sotme tetë miliardëshe! Kryemjeshtër fin dhe luksoz i alegorisë së sofistikuar, ai jo vetëm i mbijetoi si rrallëkush ferrit stalinist të regjimit të Hoxhës, por edhe për dekada të tëra kaloi në qyngjet e zjarrta të purgatorit të kuq, deri sa më në fund, në tetorin e 1990 fluturoi në parajsën e një vendi demokratik si Franca. Vërtetë Kadaresë, juria e Komitetit të Çmimit Nobel, pranë Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, nuk ia dha këtë çmim, por vetë fakti që ai prej dekadash ishte serial kandidat si askush tjetër për ta marrë atë, flet qartë se arsye të tjera, jashtë talentit të madh dhe stilit të tij të veçantë, plot filozofi aluduese disidente të të shkruarit, çuan në këtë padrejtësi historike, përderisa kjo juri, këtë çmim ia dha mediokrit Dario Fó (Dario Luigi Angelo Fo), kjo sipas vetë italianëve, kantautorit amerikan Bob Dilan, (Robert Allen Zimmerman) me 11 pseudonime, për të mos përmendur austriakun me origjinë sllovene Peter Hendke, apologjet i Kryekasapit gjenocidial serb, Sllobodan Milosheviç, vdekur në burgun Scheveningen të GJNDsë në Hagë, mbi varrin e të cilit në Beograd, edhe u përlot, teksa lexonte nekrologjinë e këtij kryekrimineli!
Merreni me mend, Hendke në paranojën e tij, ka arritur deri aty, sa të pohojë se masakra e Srebrenicës në Bosnje-Hercegovinë nuk ka ndodhur kurrë?! Në të vërtetë, gjysmaku Hendke, më 2018, mori vetëm gjysmë çmimin Nobel, pasi ai u nda me polaken Olga Nawoja Tokarczuk! Nëse kolosëve të sipërpërmendur, në krye të shkrimit (përjashtuar Tagoren), nuk iu dha ky çmim, kuptohet, se kjo s’mund të ndodhte ngaqë, çmimi nisi tç akordohej vetëm duke filluar nga viti 1901 (fitues francezi Sully Prudhomme – René François Armand Prudhome), sipas Testamentit të vetë shkencëtarit gjenial, ing. kimist Alfred Bernhard Nobél, më 27 nëntor 1895, hartuar në Paris, i cili la gjithë pasurinë e tij 1 miliard dollarëshe të kohës, (nga 1 milion $ për çdo fitues, baraz me 31 milionë korona suedeze) në pesë fusha: Paqe, Letërsi, Mjekësi, Fizikë dhe Kimi, ndërsa Çmimi për Ekonomi, filloi të akordohej qysh nga viti 1969 me fondin special të Bankës së Suedisë!
REFUZIMI
Ceremonia e dhënies së këtij çmimi organizohet në Pallatin e Bursës në Stockholm, me përjashtim të Çmimit për Paqen, ceremonia e të cilit organizohet në Nobéls Fredssenter të Oslos, mbasi aso kohe, Suedia dhe Norvegjia ishin bashkë! Natyrisht, Kadare nuk ishte i vetmi mes atyre që e stërmeritonin këtë çmim, por që nuk iu a dhanë, ata, të cilët kurrë nuk sqaruan arsyet pse?! Tolstoi, Proust, Joyce, Kafka, Celine, Nabokov, Hashek, Moravia, Twein, Dreiser, Roth, Borges, Cortázar, Remarque etj., etj. nuk e morën kurrë këtë çmim, ashtu si pati edhe nga ata, që e refuzuan atë! I pari ishte suedezi Karlfeldt, që e refuzoi çmimin më 1918, për konflikt interesi (ai ishte vetë në jurinë e Çmimit Nobél, çmim, që iu dha vetëm pas vdekjes më 1931, si një përjashtim deri më sot i vetëm)! Boris Pasternak, i detyruar nga Partia dhe Shteti komunist sovjetik, e refuzoi çmimin për “Doktor Zhivago” më 1958! Edhe Sartri e refuzoi çmimin më 22 tetor 1964?! George Bernard-Shaw (1925) dhe Bob Dylan, (2016), të vetmit që kanë fituar edhe Çmimin Nobel dhe Çmimin Oscar, pranimin e Çmimit Nobel e bënë me vonesë, pas hezitimit të gjatë dhe replikave të forta!
Me të drejtë dikush mund të pyesë: Po gjeniu ynë, si do të sillej, nëse ky çmim i madh, mund t’i akordohej atij nga Juria e Komitetit të Nobelit të Akademisë Mbretërore Suedeze, në vitet e diktaturës së Hoxhës, apo edhe Alisë? Këtë “sekret” personal të tij kam bindjen e thellë, se për vetë rrethanat e kohës së regjimit stalinist, ai nuk ia besoi askujt, nga shumë e shumë miq të vërtetë e të ndershëm që kishte, përjashtuar njeriut më të shtrenjtë të jetës, të mençurës, besnikes, dinjitozes dhe të bukurës Helena!
PROPOZIMI
E shkruajta edhe më sipër, që Juria e Nobélit në këto 125 vite qëkurse akordohet ky çmim, ka bërë vetëm një përjashtim nga rregulli strikt i saj, duke ia dhënë çmimin pas vdekjes, vetëm një shkrimtari, suedezit Erik Axel Karlfeldt (1864-1931), e ndoshta edhe pse ishte suedez! A nuk do të ishte me vend që po kjo juri, në nderin e saj ta bënte këtë përjashtim, edhe për një dhjetëshe shkrimtarësh të mëdhenj të kalibrit botëror, mes të cilëve, të ishte patjetër dhe pa asnjë mëdyshje, edhe gjeniu ynë Kadare?! Dhe kjo mund të bëhet, duke përgjysmuar në 10 vite rresht shumën 1 milionëshe (euro), si rasti Hendke & Tokarczuk, me ndryshimin e vetëm, se këta të dy e ndanë çmimin për së gjalli si fitues, ndërsa ideja ime është t’i jepet një të gjalli dhe tjetrit t’i jepet për trashëgimtarët, ose ndoshta thjeshtë si çmim, qoftë edhe pa honorarin, se në atë botë s’ka se ç’iu duhen paratë!
Vështirë do të ishte të gjendej një tjetër shkrimtar, poet, mendimtar dhe publicist si Kadare, ku sasia voluminoze e veprës madhore të tij të ishte si tek ai, në raport të drejtë me cilësinë e nivelin artistik të rrallë! Dhe këtu nuk ka se si të mos u jepet merita përkthyesve të shquar, si poligloti erudit, fin e luksoz Jusuf Vrioni, (burgosur politikisht në komunizëm), apo shtëpive botuese kudo në botë, mes të cilave, pa as më të voglën mëdyshje, do të radhistja FAYARD në Francë dhe ONUFRI në Tiranë, ku kjo e dyta, edhe për dy kolanat e veprës së plotë të tij, ku kjo e fundit, me kolanën shtatëvëllimëshe të saj, publikuar pak përpara ikjes së tij në Parajsë, është e nivelit më të lartë të botimeve botërore për kolosët e letërsisë! Dhe këtu do të ishte e udhës t’i japim vlerat që i takojnë Bujar Hudhrit, njeriut që i qëndroi më pranë gjeniut, jo thjeshtë vetëm si botues i veprës se plotë të Kadaresë, por së pari, si mik i mirë dhe i përkushtuar i tij për një çerek shekulli. Dhe në mbyllje të këtij shkrimi modest, nuk mund të rrija dot pa shprehur habinë time për një heshtje të çuditshme e të papranueshme, e po aq të pashpjegueshme që ka mbuluar prej më shumë se një viti e gjysmë disa medie të shkruara dhe televizive, rreth këtij personaliteti unikal e të paharrueshëm kurrë të Kombit Shqiptar, i cili ishte edhe një atdhetar i madh!
Ai s’linte rast pa humbur, të shfaqte dashurinë për Kosovën dhe trojet etnike shqiptare në Ballkan, si edhe të shfaqte gëzimin dhe lumturinë e tij, që ia mbërriti ta shihte Kosovën të lirë, të pavarur e demokratike, ku dha kontribut të shquar, ashtu si kish guxuar t’i shkruante dy herë letër Presidentit Amerikan George Bush senjor, pa u shembur ende regjimi stalinist dhe diktatura hoxhiste në Shqipëri! Kadare kishte, ka dhe do të ketë përjetësisht miliona adhurues mes shqiptarëve dhe në të gjithë botën, ashtu si kishte, edhe jo pak urryes profesionistë e të palodhshëm, në ligësinë e tyre patologjike, cmiranjosë, xhelozë dhe mediokër agrointelektualë! Por se kush ishte në të vërtetë Ismail Kadare për regjimin, del qartë, mjaft të lexosh dy vëllimet 1000-faqëshe të gazetarit të talentuar e pasionant, të palodhshmit Dashnor Kaloçi, ku në qindra dokumente autentike nga Arkivi i Shtetit, Fondi i KQ dhe MPB (Sigurimit të Shtetit), të aparatit të dhunës shtetërore e partiake në vitet e regjimit gjakatar të diktaturës së proletariatit dhe vetë diktatorit Hoxha, gjirokastritit tjetër, si edhe vetë Ismaili, nga i njëjti sokak i qytetit të gurtë, “Sokaku i të Marrëve”, por që ndryshe nga Kadare, Enver Hoxha ishte një i marrë prej vërteti, paranojak e delirant tejet i egër e dogmatik, apo me saktë një imitues i Stalinit, idhullit gjakatar të tij, edhe më kriminel se monstra gjeorgjiane, që sundoi në plot tre dekada në BRSS!
FAKTET
Po jap vetëm dy fakte të pakundërshtueshme dot nga askush: Në shtator të 1982, pa u bërë viti që kur e patën vetëvrarë KM Mehmet Shehu, u mbajt një Plenum i KQ të PPSH, ku aty nisën të bien kambanat e vdekjes për Kadri Hazbiun e grupin e tij, gjatë të cilit, diktatori duke tundur zinxhirin në podium, deklaronte paradoksalisht se jo Sigurimi i Shtetit, por Partia (nënkupto vetë Enveri), i kishin zbuluar të gjitha grupet “armiqësore” në vitet ‘70 – ‘80, qysh nga i pari, ai i ideologjisë me T.Lubonjën, F. Paçramin e I. Kadarenë, e deri tek ai i fundit, i K. Hazbiut!…. Po ashtu, kur zëvendësi i tredhur i tij Ramiz Alia, burri me zë gruaje, i tregoi atij plot entuziazëm në zyrë “Pashallarët e Kuq” (“Në mesditë u mblodh Byroja”) të Kadaresë, Enveri, qysh të strofa e parë filloi të vrenjtej dhe të e treta ndërpreu leximin, përplasi fletët mbi tavolinë dhe urdhëroi Ramizin t’ia verë përpara Ismailit mu..at që kish shkruar, e t’ia jepte t’i hajë, se ne e dimë i tha, që ai ka qenë përherë poet i reaksionit dhe borgjezisë?!
Presidenti i parë i Shqipërisë Demokratike, prof.dr. Berisha, iu akordoi qysh në fillim, titullin më të lartë, atë “Nderi i Kombit”, dy personaliteteve të mëdha, Nënë Terezës dhe Ismail Kadaresë, që ai e pranoi plot kënaqësi, ashtu si ka theksuar disa herë, se kombi shqiptar ka nxjerrë tre gjeni, Kadarenë, Shenjtoren Nënë Tereza dhe Presidentin historik të Kosovës, dr. Rugovën! Ismaili, modestisht më vonë, refuzoi të pranonte propozimin shumëpalësh konsensual të forcave politike, për t’u bërë President i Republikës së Shqipërisë, ndryshe nga Haveli në Çeki, apo Zheljevi ne Bullgari, po ashtu edhe ata shkrimtarë disidentë! Natyrshëm, ai e kishte famën e një prej shkrimtarëve më të njohur e më të vlerësuar të botës, e ndoshta kjo famë, i dilte dhe i tepronte!
Ai i fitoi të gjitha çmimet më të larta letrare të botës, si në Britani “Man booker international prize” dhe “Principe delle Asturias”, Spanjë, por edhe në Itali, ku fitoi katër prej çmimeve kryesore, në ceremonitë e dy prej të cilave, atë “Kavur” dhe “Flaiano”, pata fatin dhe nderin e madh, ta shoqëroj Ismail Kadarenë dhe njeriun e tij të pandarë të jetës, të mirën Helena, me cilësinë e Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Milano. Po ashtu, edhe Franca, konkretisht i Presidenti i Republikës, Emmanuel Jean – Michel Frederic Macron, i akordoi Kadaresë dekoratën më të lartë të shtetit, Kryqin e Artë të Legjionit të Nderit, (që ka gjashte shkallë), krijuar nga Napoleon Bonaparti, qysh më 1802! Ndaj pra, për të gjitha sa shkruajta, Ismail Kadare, ashtu si Gjeniu Dante, i “Komedisë Hyjnore”, do të jetë në shekuj i pashmangshëm dhe do të mbetet përjetësisht madhështor! Më shumë se kurrë dhe para kujtdo, Kadaresë i duhen bërë nderimet që i takojnë, si kolos i Letrave europiane e botërore, si mendimtar dhe atdhetar demokrat i pashoq, se emri dhe vepra e pavdekshme e tij, nuk mund të lihen në harresë asnjëherë nga askush, sidomos nga ata, që jetojnë të molepsur mes delirit të madhështisë e protagonizmit!
Lini një Përgjigje