TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Shkurt 2026, 13:39

Rendi global ka vdekur, por kërcënimi i vërtetë vjen nga ai që do ta zëvendësojë

Shkruar nga Mario Draghi
Rendi global ka vdekur, por kërcënimi i vërtetë vjen nga ai
Mario Draghi /

Rendi global i pasluftës, i cili bazohej në mbrojtjen amerikane dhe tregtinë e lirë pa kufij, ka vdekur. Për të mbijetuar mes dy blloqeve gjigante - SHBA-së proteksioniste dhe Kinës shtetërore - Evropa duhet të braktisë strukturën e saj aktuale prej “klubi shtetesh” dhe të bëhet një Federatë Sovrane, njëlloj si Shtetet e Bashkuara…

Që nga lindja e saj, arkitektura e BE-së ka mishëruar bindjen se shteti i së drejtës ndërkombëtare, i mbështetur nga institucione të besueshme, nxit paqen dhe zhvillimin. Meqë asnjë shtet evropian nuk ishte i aftë të mbrohej i vetëm, doktrina jonë e sigurisë u modelua nga mbrojtja që ofronte SHBA-ja.

Së bashku, dhe gjithmonë në aleancë me Shtetet e Bashkuara, ne evropianët ishim në gjendje të përballonim çdo kërcënim dhe të garantonim paqen në kontinent. Me sigurinë tonë të garantuar dhe me shkëmbimet tregtare që ndodhnin kryesisht brenda kësaj aleance, ne mundëm të ndiqnim të sigurt hapjen ekonomike si bazën e zhvillimit tonë, por edhe të ndikimit në botë.

Por rendi global, tashmë i vdekur, nuk dështoi sepse ishte ndërtuar mbi një iluzion.

Ai solli avantazhe të vërteta dhe të shpërndara gjerësisht: për SHBA-në si fuqi hegjemone, përmes një ndikimi të padiskutueshëm; për Evropën përmes integrimit të thellë tregtar; dhe për vendet në zhvillim përmes pjesëmarrjes në ekonominë globale që nxori miliarda njerëz nga varfëria.

Dështimi i sistemit ka të bëjë me faktin që ai nuk ishte në gjendje të korrigjonte problemet. Sapo Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), kufijtë mes tregtisë dhe sigurisë filluan të ndryshonin.

Ne kemi tregtuar gjithmonë jashtë aleancës, por kurrë më parë me një vend të këtyre përmasave dhe me ambicien për t’u bërë vetë një pol i veçantë. Tregtia globale iu largua parimit të David Rikardo (avantazhit krahasues).

Disa shtete kërkuan avantazhin absolut përmes strategjive merkantiliste, duke u imponuar deindustrializimin të tjerëve. Në të njëjtën kohë, integrimi i thellë krijoi varësi që mund të shfrytëzoheshin si armë kur jo të gjithë partnerët ishin aleatë. Ndërvarësia, dikur një burim kontrolli reciprok, u shndërrua në një burim shantazhi. Por kolapsi i këtij rendi nuk është kërcënimi në vetvete. Një botë me më pak tregti do të ishte e dhimbshme, por Evropa do të përshtatejs. Kërcënimi i vërtetë vjen nga ai që po e zëvendëson këtë rend.

Sot përballemi me një Amerikë që ankohet për kostot e saj dhe shpërfill tërësisht përfitimet që ka marrë. Ajo po i vendos tarifa Evropës dhe po bën të qartë, për herë të parë, se e sheh fragmentimin politik evropian si diçka që i shërben interesave të saj. Nga ana tjetër, përballemi me një Kinë që kontrollon nyjat kritike të zinxhirëve të furnizimit dhe është e gatshme ta përdorë këtë fuqi për të përmbytur tregjet apo për të mbajtur burimet kritike. Kjo është një e ardhme ku Evropa rrezikon të bëhet e nënshtruar, e ndarë dhe e deindustrializuar, dhe që të gjitha këto menjëherë.

Një Evropë që nuk mbron interesat e veta, nuk do të mund të ruajë për shumë kohë as vlerat e veta. Tani rruga më e mirë për Evropën është ajo që po ndjek: të lidhë marrëveshje me partnerë që ndajnë të njëjtat parime dhe të forcojë pozicionin e saj aty ku është tashmë jetike.

Kompanitë evropiane kontrollojnë 100 për qind të teknologjisë së nevojshme për prodhimin e çipave të avancuar (EUV lithography). Ne prodhojmë gjysmën e avionëve komercialë të botës.

Marrëveshjet tregtare kanë tashmë një qëllim strategjik dhe jo thjesht rritjen ekonomike. Por kjo është vetëm një strategji mirëmbajtjeje dhe jo destinacioni final. Vetëm evropianët kanë mundësinë të bëhen vetë një fuqi e vërtetë mes SHBA-së dhe Kinës.

Tani duhet të vendosim: a duam të mbetemi thjesht një treg i madh, subjekt i prioriteteve të të tjerëve? Apo duam të bëhemi një fuqi e madhe globale? Bashkimi i vendeve të vogla nuk prodhon automatikisht një bllok të fuqishëm.

Kjo është logjika e konfederatës, ku secili ka të drejtë vetoje dhe mbetet i prekshëm. Fuqia kërkon që Evropa të kalojë nga konfederata në federatë. Atje ku jemi federuar (tregtia, monedha), ne respektohemi si fuqi.

Atje ku nuk e kemi bërë (mbrojtja, politika e jashtme), trajtohemi si një grup informal shtetesh mesatare që mund të ndahen e të goditen veç e veç. Disa thonë se duhet të presim derisa të jemi më të bashkuar.

Por uniteti nuk vjen para veprimit; ai farkëtohet duke marrë vendime të rëndësishme së bashku. Unë e quaj këtë “federalizëm pragmatik”. Pragmatik sepse duhet të bëjmë hapat që janë aktualisht të mundshëm.

Dhe them “federalizëm” sepse destinacioni është i rëndësishëm: institucione me fuqi reale vendimmarrëse. Euroja është shembulli më i suksesshëm: ata që ishin gati, ecën përpara dhe krijuan institucione të përbashkëta.

Jo të gjitha vendet do t’i bashkohen që në fillim çdo nisme (energji, mbrojtje, teknologji). Por çdo hap duhet të jetë i ankoruar te qëllimi: krijimi i një federate të vërtetë. Nuk duhet të frenohemi nga ata që besojnë se gjeografia i bën imunë.

Jemi që të gjithë në të njëjtin pozicion të brishtë. Ajo që nisi nga frika, duhet të vazhdojë me shpresën. Duke vepruar së bashku, ne do të rizbulojmë krenarinë, besimin te vetja dhe besimin te e ardhmja jonë.

Pikërisht mbi këto themele do të ndërtohet Evropa!

Shënim: Fjalimi i mbajtur nga ish-kryeministri italian dhe ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane gjatë marrjes së titullit Honoris Causa nga universiteti Ku Leuven në Belgjikë./Pamfleti

mario draghi rendi global ka vdekur

Lini një Përgjigje