Angazhimi i hapur i Ali Ahmeti për unitarizëm është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo sjellje jep një sinjal të qartë se mos vallë po përgatitet terreni për braktisjen e kësaj marrëveshjeje. Është një ironi e hidhur historike që njeriu i cili thirret në trashëgiminë e vitit 2001, sot po u jep municion politik atyre që duan zhbërjen e parimeve fundamentale të barazisë kombëtare të shqiptarëve. Nacionalizmi maqedonas gjithmonë e ka parë Marrëveshjen e Ohrit si një të keqe të domosdoshme që duhet tejkaluar. Tani ata gjejnë një aleat të papritur te vetë nënshkruesi i saj.
Pas plot 24 vitesh nga themelimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, në zyrën e kryetarit të partisë në Reçicë të Vogël u vendos për herë të parë flamuri shtetëror i Maqedonisë së Veriut. Ky veprim simbolik u vërejt gjatë një takimi me ambasadorin e Austrisë, Martin Pammer. Ajo që ngre një ortek pyetjesh dhe shqetësimesh të thella është akrobacia e rrezikshme interpretuese që bëri vetë Ali Ahmeti me këtë rast.
Diplomatët e huaj kërkuan thjesht respektim të protokollit përmes vendosjes së flamurit shtetëror në zyrë. Ky sugjerim teknik u përkthye dhe u keqpërdor nga Ahmeti si një lloj rekomandimi apo miratimi madhor politik për unitarizëm. Ky lexim i gabuar tregon një dëshirë të çuditshme për t'u fshehur pas autoritetit ndërkombëtar me qëllim të legjitimimit të një hapi që dëmton rëndë statusin politik e kombëtar të shqiptarëve. Ai e shndërroi një këshillë diplomatike për simbole, në një dorëzim ideologjik të kauzës shumëetnike.
Të deklarohesh sot se je mbrojtës i shtetit unitar, do të thotë të bësh një kapërcim të rrezikshëm mbi gjakun e vitit 2001. Ky qëndrim përbën një mohim të pashoq të kauzës që dikur ndryshoi Kushtetutën, kurse pozicionimi i ri i liderit të BDI-së ngjan me një dorëzim vullnetar të instrumenteve të barazisë. Struktura e një shteti unitar përjashton nga natyra konceptin e bashkëpronësisë sovrane, ajo njeh vetëm një qendër të vetme vendimmarrjeje ku pushteti buron dhe kontrollohet nga shumica etnike. Në këtë projekt politik, barazia e mirëfilltë zëvendësohet me logjikën e tolerancës paternaliste, ku të drejtat e shqiptarëve trajtohen si lëshime të matura me pikatore e jo si shtyllë shtetformuese. Ky model nuk toleron partneritet real, ai kërkon nënshtrim të heshtur institucional, duke e shndërruar pakicën në një dekor demokratik pa fuqi reale vendimmarrëse.
Ky kurs i ri politik nuk është një manovër e izoluar semantike. Kjo është një lëkundje e rëndë e shtyllave të shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Metamorfoza politike e liderit të kryengritjes së fundit të armatosur, në një gardian të zellshëm të unitarizmit, shpërfaq një kapitullim të plotë konceptual-politik. Ky transformim i pashpjegueshëm dëshmon tjetërsimin e idealeve të dikurshme të lirisë, duke i dorëzuar ato përballë kompromisave pragmatike të pushtetit aktual. Çudirëisht, uniforma e dikurshme e rezistencës, sot zëvendësohet me kostumin e një administratori të thjeshtë, i cili pranon të ruajë themelet e centralizmit etnik.
Rezistenca dhe gjaku i derdhur legjitimuan ndërtimin e një godine shtetërore mbi parimin e konsensusit të plotë, duke vendosur si kusht të patjetërsueshëm mbrojtjen nga arroganca e numrave. Ky projekt politik konsensual garanton një partneritet të barabartë shtetformues, ku mekanizmi i mbivotimit etnik mbetet përgjithmonë i pamundur.
Për të kuptuar dimensionin e këtij gabimi strategjik, duhet zbërthyer kuptimi i vërtetë i shtetit unitar. Ky model nënkupton një sistem ku sovraniteti është i pandashëm dhe ku pushteti qendror mbetet burimi i vetëm i ligjshmërisë. Ky model funksionon me sukses në shoqëri homogjene si Franca apo Japonia ku kombi dhe shteti përputhen pothuajse plotësisht. Në këto vende, tradita centralizuese ka krijuar një identitet unik qytetar pa pasur nevojë për mbrojtje të të drejtave të grupeve të mëdha autoktone.
Ndryshe ndodh në vende të ndërlikuara etnike ku unitarizmi shpesh është përdorur si mjet i hegjemonisë së shumicës. Historia na tregon se përpjekjet për të ruajtur strukturën unitare në shtetet shumëkombëshe kanë çuar në dështime dramatike. Belgjika u detyrua të braktisë modelin unitar për të shpëtuar ekzistencën e saj përmes një federalizmi të komplikuar. Britania e Madhe aplikoi devoluimin e pushtetit në Skoci dhe Uells për të shmangur shpërbërjen. Spanja po ashtu mban një strukturë të rajoneve autonome me kompetenca të gjera për të menaxhuar tensionet e brendshme.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut unitarizmi mbetet ëndrra e papërfunduar e nacionalizmit maqedonas. Ai është instrumenti kryesor për të ruajtur iluzionin se ky shtet u përket vetëm atyre. Kur një lider shqiptar deklaron me lehtësi se ka qenë gjithmonë në mbështetje të shtetit unitar, ai po legjitimon këtë ëndërr hegjemone. Ai po i thotë popullit maqedonas se lufta e tyre për dominim është e drejtë. Kjo platformë shndërrohet në një thikë pas shpine për të gjitha përpjekjet politike e shoqërore që dëshmojnë se ky shtet mund të mbijetojë vetëm si binom i barabartë.
Marrëveshja e Ohrit nuk lindi në salla të komunitetit ndërkombëtar si një dëshirë akademike. Ajo u nënshkrua për të shpërbërë shtetin unitar të vitit 1991, i cili i trajtonte shqiptarët si pakicë dhe qiraxhinj në shtëpinë e tyre. Filozofia e Ohrit është një sistem i ndarjes së pushtetit dhe i demokracisë konsensuale. Parimi i Badinterit dhe mekanizmat e tjerë mbrojtës janë instrumente që godasin drejtpërdrejt logjikën e unitarizmit klasik.
Angazhimi i hapur i Ali Ahmeti për unitarizëm është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo sjellje jep një sinjal të qartë se mos vallë po përgatitet terreni për braktisjen e kësaj marrëveshjeje (!). Është një ironi e hidhur historike që njeriu i cili thirret në trashëgiminë e vitit 2001, sot po u jep municion politik atyre që duan zhbërjen e parimeve fundamentale të barazisë kombëtare të shqiptarëve. Për nacionalizmin maqedonas, Marrëveshja e Ohrit mbeti gjithmonë një guralec në këpucë, një e keqe e domosdoshme që duhej toleruar deri në gjetjen e mekanizmit për ta tejkaluar. Paradoksi i sotëm kapërcen çdo imagjinatë politike, pasi ky projekt i vjetër i zhbërjes po jetësohet përmes bashkëpunimit të papritur me vetë gardianët e dikurshëm të saj.
Kjo aleancë e panatyrshme e shndërron trashëgiminë e të drejtave të shqiptarëve në një mall tregtie, ku nënshkruesi i djeshëm pranon rolin e relativizuesit të sotëm. Ne kemi mbrojtur idenë se Maqedonia e Veriut është stabile vetëm nëse është multietnike në strukturë dhe konsensuale në vendimmarrje. Me pranimin e unitarizmit, të cilin lideri i BDI-së e maskon pas këshillave diplomatike, ne po zbresim vullnetarisht në kategorinë e një pakice që gëzon vetëm dekor simbolik. Ky nuk është një gabim i rëndomtë. Ky është një deficit i thellë strategjik që rrezikon t'i kthejë shqiptarët në vitet e nëntëdhjeta.
Pyetja që shtrohet me të drejtë në qarqe të ndryshme lidhet me qëllimin e vërtetë të kësaj kthese. A po e përgatit terrenin Ali Ahmeti për ndonjë marrëveshje të re shqiptaro maqedonase? Përvoja na mëson se kur krerët e politikës fillojnë të ndryshojnë fjalorin e tyre parimor pas dy dekadave, pas skenës po zihet një tjetër çorbë. Kostoja e kësaj aventure të re mund të jetë fatale për perspektivën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Një marrëveshje e re e ndërtuar mbi premisat e unitarizmit do të njihte vetëm një fitues. Ajo do të vuloste dominimin e shumicës maqedonase duke na ofruar në këmbim premtime abstrakte për integrim evropian ose poza të përkohshme para flamujve shtetërorë. Çmimi që po paguhet është humbja e statusit shtetformues. Ky status nuk mund të mbrohet me ankesa për paternalizëm maqedonas kur në praktikë pranohet me nënshtrim vullnetar korniza e shtetit unitar. Shqiptarët nuk kanë nevojë për marrëveshje të reja që zvogëlojnë peshën e tyre faktorizuese në strukturën e shtetit.
Kjo lëvizje strategjike mund të shkërmoq në themel idenë e ndërtuar me aq mund për barazi të plotë etnike. Në vend që të ecet drejt modeleve të avancuara evropiane të partneritetit, ne po shohim një zmbrapsje drejt qendërzimit të pushtetit. Kostoja kombëtare e kësaj prapaktheu do të matet me humbjen e sovranitetit të brendshëm politik të cilin shqiptarët e fituan me sakrifica të mëdha. Për pasojë, kjo politikë pa vizion do të na kthej në një faktor të varur nga humori i partive maqedonase. Rreziku më i madh nga ky unitarizëm i ri vjen nga amnezia kolektive që po tentohet të mbillet. Vendosja e flamujve si dekor për të kënaqur mysafirët ndërkombëtarë nuk e fsheh dot kapitullimin logjik të liderit të BDI-së. Ai e mori një sygjerim miqësor për një rregull teknik në zyrë dhe e ktheu në manifest ideologjik kundër historisë së vetë partisë së tij. Ne po shohim sesi idetë e mëdha po shkërmoqen përpara interesave të ngushta të mbijetesës politike të një kaste të caktuar. Ironia e fatit qëndron në faktin se po vetëmbytet projekti i një Maqedonie ndryshe.
Angazhimi për unitarizëm nën hijen e një keqpërkthimi të qëllimshëm të sugjerimeve të jashtme nuk është shenjë e pjekurisë shtetërore. Ky angazhim përbën një dëshmi të qartë të lodhjes politike dhe të mungesës së ideve për të çuar përpara të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të jenë spektatorë të thjeshtë të këtij cirkusi që i shndërron në vegla për të argëtuar mysafirët e vonuar të mejhaneve tona politike. Ky shtet ose do të jetë i të gjithëve me të drejta të plota shtetformuese ose do të mbetet një eksperiment i dështuar i centralizmit qesharak dhe absurd.
Nuk ka asnjë dyshim se kjo rrugë e zgjedhur do të sjell dëme të pariparueshme në mbrojtjen e substancës sonë politike. Shqiptarët duhet ta refuzojnë këtë unitarizëm të rrezikshëm që ofrohet si gozhdë e fundit në arkivolin e aventurave politike. Ky model mbetet i vjetër dhe i dëmshëm për një shoqëri që merr frymë me dy mushkëri të ndryshme etnike.
Prandaj, përpjekja për të projektuar një simfoni unitare me instrumente të çakorduara, mbetet një gabim i rëndë në leximin e partiturës politike. Nuk ndërtohet stabiliteti duke i prerë rrugën e ajrit njërës mushkëri, ashtu siç nuk mund të blihet paqja sociale me valutën e rreme të një centralizmi të falimentuar. Shqiptarët nuk kanë nevojë për bileta falas në teatrin e kukullave të tranzicionit, ku skenografia ndryshon, ndonëse regjia mbetet e njëjtë. Historia ruan në arkivat e saj dëshmi të panumërta se eksperimentet mbi themelet shtetformuese kthehen shpejt në gërmadha dështimi.
Lini një Përgjigje