TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Maj 2026, 13:55

Spekulanti gjenial francez: Si fitoi 1 miliardë euro përmes tregtisë së dorëshkrimeve historike

Shkruar nga Vincent Noce
Spekulanti gjenial francez: Si fitoi 1 miliardë euro përmes
Gérard Lhéritier /

Përmes kompanisë së tij Aristophil, Gérard Lhéritier bindi mijëra investitorë të thjeshtë të blinin aksione në dorëshkrime të rralla historike, duke premtuar përfitime përrallore. Skema e tij madhështore, e ngritur mbi vlerësime të fryra dhe luks të shfrenuar, u shemb përfundimisht në gjykatë si mashtrimi më i madh piramidal në historinë e Francës...

Ishte suksesi më i madh i Gérard Lhéritier. Dorëshkrimi i “Les 120 Journées de Sodome” (120 Ditët e Sodomës), romani i Marquis de Sade mbi shthurjen seksuale, konsiderohej prej kohësh i humbur për trashëgiminë franceze.

Sade e shkroi atë në vitin 1785 ndërsa ishte i burgosur në Bastijë, me shkronja të imëta mbi një shirit letre 12 metra të gjatë. Rrotulla u fsheh në qeli dhe shpëtoi gjatë sulmit mbi burg më 14 korrik 1789.  

Pas një historie të gjatë vjedhjesh e tradhtish midis aristokratëve dhe koleksionistëve, në vitin 2014 Lhéritier e bleu atë për më shumë se 6 milionë euro. Por arsyeja e blerjes ishte thjesht biznes.

Përmes kompanisë së tij, Aristophil, ai shiste aksione në portofola dorëshkrimesh dhe dokumentesh të shkruara me dorë, duke premtuar një kthim nga investimi prej 40 për qind pas pesë vitesh. Gjatë një dekade, kompania grumbulloi 975 milionë euro investime nga njerëz të thjeshtë.

Spekulanti gjenial francez: Si fitoi 1 miliardë euro përmes

Portofolat emërtoheshin sipas blerjeve më të çmuara - Mozart, Newton, Zola, Flaubert, Proust, Charlotte Brontë...Në Paris, ai ekspozoi rrotullën në Muzeun e Letrave dhe Dorëshkrimeve që kishte themeluar vetë dhe më pas e shiti atë për 12.5 milionë euro, të ndarë në 2.500 aksione nga 5.000 euro secila.

Ekspozitat e tij luksoze ndiqeshin nga elita dhe politikanët, përfshirë ish-presidentët Nicolas Sarkozy, François Hollande dhe Valéry Giscard d’Estaing. Lhéritier jetonte në një luks të madh, me avion privat, jaht 18-metra në Rivierë dhe një ekip të garave të kuajve.

Madje revista “Winner” e vendosi në kopertinë duke e quajtur “Mbreti i Letrave”. E gjithë kjo shfaqje madhështore shërbente për të bërë përshtypje te klientët, derisa një ditë perdja ra.

I lindur në vitin 1948 si djali dhe nipi i hidraulikëve, Lhéritier u rrit në një fshat të Lorenës. Pas ushtrisë, ai punoi si sigurues dhe shitës autodidakt. Dështoi në tregtinë e diamanteve dhe pullave postare në Monako, ku u akuzua për përvetësim fondesh dhe u dënua me kusht. Gjatë asaj kohe, zbuloi se letrat historike, si ato të dërguara me balona gjatë rrethimit të Parisit (1870), kishin një vlerë të madhe.

Ai ishte i bindur se dorëshkrimet e Balzakut apo Napoleonit ishin të nënvlerësuara dhe mund të sillnin 10 për qind fitim vjetor. Në vitin 2002, ai bleu 54 faqe shënimesh kërkimore të Albert Einstein dhe Michele Besso për 560.000 dollarë në Nju Jork.

Duke i reklamuar si “themeli i teorisë së relativitetit”, Aristophil ua shiti ato 400 bashkëpronarëve për 12 milionë euro, duke premtuar t’i riblejë 5 vjet më vonë për 17 milionë euro. Tregu i vogël i dorëshkrimeve u çmend nga blerjet e tij të ethshme.

Midis viteve 2009-2014, ai bleu dokumente me vlerë 241 milionë euro, kryesisht nga tre tregtarë parizianë. Megjithatë, problemet filluan kur ai tentoi të rishiste shënimet e Ajnshtajnit në Zvicër për 24 milionë euro, duke kërkuar që vlera e tyre të arrinte 33.6 milionë euro pas 5 vitesh - një çmim i paprecedent që bllokoi qarkullimin e parave të kompanisë.

Autoritetet franceze nisën hetimet për “praktika mashtruese”. Në nëntor 2012, Lhéritier fitoi 170 milionë euro në lotarinë EuroMillions dhe investoi 40 milionë euro nga xhepi i tij për të mbajtur kompaninë në këmbë. Por ky lehtësim ishte i përkohshëm.

Në nëntor 2014, policia bastisi pronat e tij në Paris, Nisë, Gjenevë dhe Bruksel, duke sekuestruar mbi 80 milionë euro në llogari dhe 12 milionë euro në pasuri të paluajtshme. Në mars 2015, ai u akuzua për mashtrim të organizuar dhe pastrim parash. Gjyqi filloi më 8 shtator 2025 në gjykatën e re penale të Parisit.

Hetimi vërtetoi se Aristophil blinte dorëshkrime me vlera të fryra dhe ua shiste investitorëve me të paktën dyfishin e çmimit. Shumica e dokumenteve në portofola ishin pa vlerë reale. Kompania nuk nxirrte kurrë dorëshkrime në treg dhe fitimet ishin vetëm në letër.

Për të paguar investitorët e vjetër, duheshin gjetur vazhdimisht klientë të rinj, një metodë identike me skemën famëkeqe piramidale Ponzi të vitit 1919. Mbi 8.000 ish-klientë, kryesisht pensionistë që humbën kursimet e jetës, ngritën padi civile.

Investimi mesatar ishte 29.000 euro. Por pati raste tragjike, si një parukier që kreu vetëvrasje pasi humbi 1.7 milionë euro, apo një grua me aftësi të kufizuara që humbi të gjithë dëmshpërblimin e sigurimit prej 240.000 eurosh pas një aksideti që kishte pësuar.

Më 11 dhjetor 2025, gjykata e shpalli Lhéritier-in fajtor, duke e dënuar me 5 vjet burg dhe 375.000 euro gjobë. Gjykata dënoi gjithashtu bashkëpunëtorët e tij: kontabilistin Denis Potier, profesorin e ligjit Jean-Jacques Daigre që hartoi kontratat mashtruese, dhe noterin Jérôme Gautry që i vërtetoi ato.

Hetimi zbuloi se festat e Aristophil ishin një maskaradë ku paguheshin për të marrë pjesë shkrimtarë, aktorë dhe politikanë. Nicolas Sarkozy figuronte në libra se kishte marrë dorëshkrime me vlerë 24.500 euro, ndërsa artikulli lavdërues në revistën “Winner” ishte paguar 130.000 euro nga vetë kompania.

Pas bastisjes, Aristophil falimentoi dhe stoku i saj u likuidua. U deshën 55 ankande zyrtare gjatë 5 viteve në shtëpinë Drouot në Paris për të shitur 76.000 lotet e grumbulluara. Çmimet përfundimtare ishin shumë nën vlerën fillestare dhe investitorët arritën të rikuperonin mesatarisht vetëm tetë cent për çdo euro të investuar.

Disa tregtarë përfituan duke i blerë dorëshkrimet me çmime qesharake. Në gjykatë, Lhéritier mbrojti deri në fund sistemin e tij, duke ia vënë fajin mbylljes së llogarive bankare nga shteti dhe duke refuzuar krahasimin me Bernard Madoff.

“Premtimet e Madoff-it bazoheshin në ajër, ndërsa unë shisja thesare kulturore reale!”- tha

ai. Disa investitorë humbën gjithçka kur shteti sekuestroi 4.000 lote (rreth 4 për qind të dokumenteve), si draftet e Charles de Gaulle dhe testamentin politik të Louis XVI, duke i deklaruar ato arkiva publike të patjetërsueshme.

Historia e dorëshkrimit “120 Ditët e Sodomës”, i përshtatet plotësisht fatit të autorit të saj. E shkruar nga një i burgosur, ai kaloi përmes vjedhjeve dhe mashtrimeve, për të përfunduar në duart e një njeriu që po shkonte vetë në burg.

Megjithatë, në minutën e fundit para burgosjes në fillim të këtij muaji, Lhéritier negocioi një marrëveshje për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore: dënimi i tij u reduktua në 3 vjet (një me kusht dhe dy në arrest shtëpie në vilën e tij në Nisë) dhe me konfiskimin e 40 milionë eurove.

Dorëshkrimi i Sade u shpall thesar kombëtar, u tërhoq nga ankandi dhe u ble nga Biblioteka Kombëtare e Francës për 4.55 milionë euro, ku do të mbetet përgjithmonë./Pamfleti nga “Financial Times”

gérard lhéritier spekulanti gjenial francez

Lini një Përgjigje