Fati i Lindjes së Mesme dhe i tregjeve globale të energjisë, varet tashmë nga një balancë e brishtë mes ambicies së presidentit amerikan për paqe të shpejtë dhe strategjisë së rrezikshme të Netanyahut për të mbajtur gjallë konfliktin me çdo kusht...
Të gjithë kanë interes që Ngushtica e Hormuzit të rihapet dhe tregjet të normalizohen. Irani, që po përballet me një ekonomi të rrënuar, dhe Trump, i cili po sheh rënie të ndjeshme të mbështetjes popullore.
Por Ugo Tramballi, editorialist i “Il Sole 24 Ore” dhe këshilltar shkencor i ISPI-së, mendon se i vetmi që mund të vendosë pengesa në marrëveshjen mes Teheranit dhe Uashingtonit mbetet Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, nuk është rastësi që sapo mori vesh mbi memorandumin që iranianët dhe amerikanët pritet të nënshkruajnë, ai urdhëroi një operacion për goditjen e një prej drejtuesve të Hezbollahut në Liban.
Presidentit amerikan i duhet një marrëveshje e shpejtë para udhëtimit në Pekin, ku më 14-15 maj do të zhvillojë një samit me Xi Jinping, rezultatet e të cilit mund të ndikojnë në rendin botëror edhe më shumë sesa vetë lufta me Iranin.
Çfarë gjasash ka që të arrihet këtë herë marrëveshja Iran-SHBA?
Që të dyja palët pretendojnë fitoren, prandaj secila po përpiqet të rrisë çmimin politik të negociatave. Megjithatë, tani duket se kompromisi është arritur, kjo edhe sepse Donald Trump do të jetë në Pekin pas një jave për një samit jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e botës, ndoshta më i rëndësishëm sesa vetë konflikti me Iranin.
Samiti me Xi ishte menduar fillimisht vetëm për çështje tregtare mes dy vendeve. Tani Trump dëshiron të flasë edhe për Iranin dhe furnizimet energjetike. A do të bëhet kjo tema kryesore?
Kinezët nuk i kanë problemet energjetike që kemi ne perëndimorët. Irani është një eksportues i rëndësishëm i naftës për Kinën, por Pekini nuk ka aleatë të privilegjuar në Lindjen e Mesme - ashtu siç nuk ka pothuajse askund tjetër në botë.
Ai blen energji si nga Arabia Saudite ashtu edhe nga Rusia. Për këtë arsye, lufta me Iranin nuk është për Kinën aq e rëndësishme sa është për Perëndimin. Ata janë më të interesuar për zhvillimet në Vietnam, Mianmar dhe mbi të gjitha në Tajvan.
Trump nuk dëshiron të paraqitet në samit duke qenë teknikisht në luftë me Iranin, prandaj gjatë kësaj jave do të përpiqet që ta mbyllë marrëveshjen.
Nga çfarë kuptohet kjo?
Kjo dallohet nga sjellja e Netanyahut, i cili urdhëroi personalisht një operacion për eliminimin e një komandanti të rëndësishëm ushtarak të Hezbollahut, duke bombarduar sërish qendrën e Bejrutit. Ai po përpiqet në çdo mënyrë të pengojë marrëveshjen, sepse dëshiron vazhdimin e luftës me Iranin dhe Hezbollahun.
Në këtë kuptim, ai mbetet pengesa më e madhe për arritjen e një marrëveshjeje. Edhe sepse është e vështirë të imagjinohet që Irani të pranojë një marrëveshje ndërkohë që aleati i tij më i rëndësishëm vazhdon të bombardohet.
Disa media në Lindjen e Mesme raportojnë se Trump ka pezulluar misionin për shoqërimin e anijeve në Hormuz, pasi Arabia Saudite dhe Kuvajti refuzuan përdorimin e bazave të tyre, ndërsa sauditët edhe të hapësirës ajrore. A është ky një sinjal se vendet e Gjirit nuk po e mbështesin më?
Vendet e Gjirit kanë qenë që në fillim kundër luftës me Iranin. Në këtë rast konkret, situata ishte bërë e paqëndrueshme. Nuk ishte e realizueshme një strategji si ajo që kishte menduar Trump apo Marina e SHBA-së për sigurinë e Hormuzit.
Nuk bëhej fjalë thjesht për eskortimin e anijeve, por për garantimin amerikan të funksionimit të lirë të gjithë ngushticës. Prandaj duhet një marrëveshje. Çështjet në tryezë - programi bërthamor dhe raketat iraniane - janë të njohura. Tani duhet gjetur kompromisi.
Burime arabe thonë se tashmë ekzistojnë disa marrëveshje paraprake për rihapjen e Hormuzit. Ideja është që fillimisht të zgjidhet kjo çështje dhe pjesa tjetër të shtyhet në kohë?
Për ne europianët, por edhe për pjesën tjetër të botës, rihapja e Hormuzit është prioriteti kryesor. Për SHBA-në, që është prodhuesi më i madh i gazit dhe naftës dhe nuk varet nga tregu ndërkombëtar, ndoshta më e rëndësishme është një marrëveshje mbi programin bërthamor iranian.
Por Trump ka deklaruar se dëshiron që katërqind kilogramët e uraniumit të pasuruar iranian të kalojnë nën kontrollin amerikan. Sipas Wall Street Journal, SHBA kërkon edhe një ndalim njëzet-vjeçar të pasurimit të uraniumit. A mund ta pranojë Irani këtë?
Jemi vetëm në fillim të negociatave. Në këtë fazë Trump po e rrit presionin negociues. Më pas mund të arrihet një kompromis dhe ato katërqind kilogramë uranium të transferohen në Rusi ose në një vend tjetër.
Në rajon ka shumë vende që duan energji bërthamore për përdorim civil: Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe. Madje është diskutuar edhe ideja e krijimit të një konsorciumi rajonal bërthamor. Pra, ekzistojnë shumë mënyra për ta zgjidhur problemin.
Ka mundësi që të gjendet një rrugë e mesme, përveçse nëse Garda Revolucionare organizon një grusht shteti, por kjo është një çështje tjetër.
A mund të kenë menduar amerikanët të bëjnë një pauzë tjetër përpara se të rifillojnë sulmet, duke reflektuar mbi përvojën e këtyre dy muajve konflikt?
Nuk e besoj. Ata nuk kanë mbështetje popullore dhe Trump, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, e di se po humbet edhe mbështetjen personale. Nuk mendoj se do të ndiqet kjo rrugë, përveçse nëse Netanyahu provokon ndonjë incident të ri.
Ky është kërcënimi i vërtetë për rifillimin e konfliktit: që izraelitët të krijojnë një situatë që ta bëjë të pashmangshëm ndërhyrjen amerikanë. Ata janë të vetmit që kanë një interes të vërtetë për rikthimin sa më të shpejtë të luftës. Nga ana tjetër, Irani ka probleme serioze ekonomike, ndërsa Trump duhet të përballet edhe me përçarjet brenda kampit MAGA.
A ekziston rreziku që ky armëpushim të zvarritet pa e zgjidhur kurrë realisht situatën?
Një skenar ku nuk ka as paqe e as luftë, por vetëm pasiguri të vazhdueshme, është shumë i rrezikshëm. Megjithatë, nëse rihapet Hormuzi ky do të ishte një sinjal kthimi drejt normalitetit dhe do mjaftonte që të rimëkëmbet tregu i naftës dhe stabilizohen çmimet.
Kush fiton dhe kush humbet nëse arrihet marrëveshja?
Fituesi është Irani, sepse mbijetoi dhe tregoi rezistencë. Arriti të përballojë krizën pa një ndryshim regjimi, edhe pse figura të rëndësishme brenda sistemit kanë ndryshuar. Republika Islamike herët a vonë mund të bjerë, por po qëndron ende në këmbë.
Irani po tregon se mbetet një vend kyç në ekuilibrat politikë, strategjikë, ekonomikë dhe energjetikë të rajonit. Nga kjo krizë, ky vend del me një rol më të fortë.
Dhe si do të ndryshojë Lindja e Mesme pas luftës?
Vendet e Gjirit po dalin nga kjo krizë më të përçara se më parë. Mjafton të përmendet rivaliteti mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite, i cili kishte nisur që me luftën në Jemen, si dhe largimi i Emirateve nga OPEC.
Ndërkohë, roli amerikan në rajon duhet rindërtuar pothuajse nga e para, sidomos nëse Trump vendos të tërheqë trupat amerikane edhe nga Gjiri, ashtu siç ka deklaruar për Evropën. Irani ishte një fuqi rajonale edhe përpara luftës; tani është edhe më shumë.
Arabia Saudite, që dukej e destinuar të bëhej një superfuqi ushtarake dhe gjeopolitike, është tkurrur disi, edhe sepse po i pakësohen fondet. Riadi ka shpenzuar tepër për turne golfi dhe për projektet që lidhen me Kupën e Botës në futboll. Pra Lindja e Mesme vazhdon të mbetet një rajon tejet i paqëndrueshëm./Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje