Të mbash anën e vrasësve, përdhunuesve, djegësve, plaçkitësve, është një njollë turpi për drejtësinë ndërkombëtare.
Ne këtu në Tiranë kemi halle të tjera. Por në Hagë është duke u luajtur një nga aktet më të turpshme të këtij shekulli.
Prokuroria e Gjykatës Speciale kërkoi që 4 ish-komandantët e UÇK-së të dënohen me nga 45 vjet burg secili (praktikisht burgim i përjetshëm, duke pasur parasysh moshën).
Edhe pse është vetëm kërkesa e prokurorit, ky është një lajm i kobshëm për historinë e një kombi dhe një populli që u mbrojt nga barbaria më monstruoze që u luajt në Europë që pas nazizmit, në mesin e shekullit të kaluar.
Kjo është një përpjekje politike, e sponsorizuar nga Beogradi dhe miqtë e tij, për të kriminalizuar një luftë të pastër të njerëzve që u ngritën për t’u shpëtuar nga shfarosja gjenocidale.
Të mbash anën e vrasësve, përdhunuesve, djegësve, plaçkitësve, është një njollë turpi për drejtësinë ndërkombëtare.
Nëse ish-drejtuesit e UÇK-së dënohen, atëherë Europa dhe OKB-ja duhet të paguajnë historianë mercenarë, që të rishkruajnë historinë e luftës në Kosovë, sipas versionit të tyre, duke i bërë viktimat kriminelë dhe kriminelët viktima.
Por historia nuk mund të retushohet siç retushon Google fotot e masakrave, duke fshirë ato që quhen “pamje të rënda”.
Historia e vërtetë është aty, e dokumentuar dhe që rëndon si gur në qafën e atyre që e bënë.
Lini një Përgjigje