Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e një jete ka ndodhur pasditen e sotme në aksin nacional Çermë-Divjakë, në afërsi të fshatit Çermë-Shkumbin.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet me dije se një automjet tip "BMW" është përplasur kokë më kokë me një automjet tip "Opel". Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e mjetit "Opel-it", 39-vjeçarin Bajram Kaçani, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe 4 personat që udhëtonin me automjetin "BMW". Mes tyre janë edhe 2 fëmijë, të cilët, sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Të plagosurit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kryen veprimet e para hetimore dhe siguruan provat. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën dhe shkaqet e aksidentit.

Lini një Përgjigje