TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Korrik 2026, 13:55

Parandalohet atentati i dytë ndaj Preng Gjinit, foto të tij gjenden në celularin e të arrestuarit me tritol

Shkruar nga Pamfleti
Parandalohet atentati i dytë ndaj Preng Gjinit, foto të tij gjenden
Policia shmang atentatin ndaj Preng Gjinit

Hetimet e Policisë së Shkodrës dyshojnë se objektivi ishte sërish Preng Gjini, i cili i mbijetoi atentatit me 400 gramë C4 në Tiranë në vitin 2020. Në celularin e të arrestuarit u gjetën edhe fotografi të tij.

Një atentat i dytë ndaj Preng Gjinit dyshohet se është parandaluar nga Policia e Shkodrës, pas arrestimit të një 38-vjeçari që lëvizte me lëndë plasëse të pajisur me mekanizëm shpërthimi në distancë.

Burime hetimore bëjnë me dije se në pranga ka rënë Euglen Buraku, 38 vjeç, banues në Durrës, i cili u kap pak ditë më parë në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës. Sipas “Euronews Albania”, ai lëvizte me një automjet me targa të vjetra të mbivendosura dhe kishte me vete një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular, i cili dyshohet se do të përdorej për shpërthim në distancë.

Një element që ka forcuar dyshimet e hetuesve është fakti se gjatë ekspertimit të telefonit të Burakut janë gjetur fotografi të Preng Gjinit, çka ka orientuar hetimin drejt pistës se objektivi i mundshëm i atentatit ishte pikërisht ai.

Në kuadër të të njëjtit hetim është identifikuar edhe një i dyshuar tjetër, Eduard Përgjoka, 34 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Rubik u sekuestruan kapsolla detonatore, 11 telefona celularë dhe fara kanabisi.

Dy personat po hetohen për veprat penale "vrasje me paramendim" e mbetur në tentativë, "mbajtje pa leje e armëve" dhe "prodhim e shitje narkotikësh".

Atentati i vitit 2020

Preng Gjini i mbijetoi një atentati spektakolar më 15 shtator 2020, kur automjeti me të cilin udhëtonte shpërtheu mbi urën e Selitës në Tiranë. Hetimet zbuluan se në pjesën e përparme të mjetit ishte vendosur rreth 400 gramë lëndë plasëse C4, e aktivizuar me telekomandë në distancë, ndërsa ai ishte në lëvizje.

Pavarësisht plagëve të rënda, Gjini arriti të mbijetonte. Në atë kohë ai deklaroi para hetuesve se nuk kishte konflikte dhe nuk ndihej i kërcënuar, duke mohuar se ishte në hasmëri me persona të tjerë.

Dosja "Revanshi" dhe akuzat e SPAK

Atentati i vitit 2020 u zbardh më vonë nga SPAK në kuadër të dosjes "Revanshi", ku prokuroria ngriti akuzën se sulmi ishte organizuar për motive gjakmarrjeje. Për këtë ngjarje janë proceduar disa persona, të akuzuar si organizatorë dhe sigurues të kushteve materiale për kryerjen e atentatit.

Në këtë dosje, SPAK akuzon se Elson Reçi, i arrestuar më pas në Dubai me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, kishte siguruar kushtet dhe mjetet për atentatin, ndërsa sipas hetimeve ai drejtonte një grup kriminal në Rrëshen. Prokuroria ka bërë me dije gjithashtu se informacion për lëvizjet e Preng Gjinit dyshohet se i përcillej grupit kriminal nga persona të përfshirë në rrjet.

Parandalimi i atentatit të dyshuar të ditëve të fundit pritet të hedhë më shumë dritë nëse bëhet fjalë për një vazhdimësi të konfliktit që çoi edhe në sulmin e vitit 2020 ndaj Preng Gjinit, apo për një episod të ri kriminal.



preng gjini atena

Lini një Përgjigje