
Penguan kontrollin e Tatimeve dhe izoluan inspektorët, në pranga administratori, shefi i financës, shefi i sigurisë dhe dy punonjës të sigurisë së kompleksit.
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Golem, ku punonjës të Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dyshohet se janë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme brenda ambienteve të një resorti, ndërsa po ushtronin kontroll në kuadër të detyrës së tyre.
Pas kallëzimit të bërë nga inspektorët e Tatimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë pesë persona, të dyshuar për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë".
Në pranga ranë administratori i resortit, S. Ndreca, shefi i financës Z. Jaçaj, shefi i sigurisë A. Kasa, si dhe dy punonjësit e sigurisë H. Sula dhe B. Agolli.
Sipas Policisë, pesë të arrestuarit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 18 korrik 2026 kanë penguar punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve gjatë ushtrimit të detyrës dhe i kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme brenda ambienteve të resortit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Lini një Përgjigje