Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Korçë–Ersekë, në afërsi të fshatit Kamenicë, ku një fëmijë ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet.
Sipas informacioneve paraprake, fëmija ishte duke ecur në rrugë në momentin e ngjarjes. Mësohet se ai ndodhej i shoqëruar nga nëna e tij, ndërsa përplasja ka rezultuar fatale. 3-vjeçari ka ndërruar jetë në spital.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
"Korçë/Informacion paraprak/ Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në fshatin Kamenicë, automjeti tip “Nisan”, me drejtues shtetasin Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë (nënë e bir), shtetasen Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, në spital ka ndërruar jetë fëmija i mitur, ndërsa shtetasja Sh. M, po merr ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor shoqëruan në Komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh. V., për kryerjen e veprimeve procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit", njofton policia.
Lini një Përgjigje